​Abelard Tahiri reagon pas vendimit të Kushtetuese për KPMSHCK

Aktuale

​Abelard Tahiri reagon pas vendimit të Kushtetuese për KPMSHCK

Më: 27 qershor 2024 Në ora: 16:47
​Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri ka përshëndetur vendimin e Kushtetueses që Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës në Shërbimin Civil të Kosovës t’i dërgohet presidentes për shpallje, pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11.

Pasi këto të fundit, janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe janë të pavlefshme.

“Edhe me vendimin e sotëm Gjykata Kushtetuese konfirmoi të bazuara të gjitha pretendimet tona se Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës në Shërbimin Civil të Kosovës, i miratuar nga pushteti në tetor të vitit të kaluar, kishte për qëllim kapjen dhe nënshtrimin e administratës, si dhe legjitimimin e emërimeve dhe shkarkimeve të paligjshme brenda saj”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ai ka thënë se si grup parlamentar kanë qëndruar në krye të detyrës për ta mbrojtur shtetin, administratën publike, të drejtat dhe liritë e qytetarëve përballë tentimeve të dështuara për të shkatërruar vlerat dhe parimet e demokracisë tonë kushtetuese të ndërtuara me shumë mund dhe sakrifica.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat