Vigan Qorrolli, zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi se ligji për Byronë për Konfiskimn e Pasurisë së Pajustifikueshme është jokushtetues.
Në shkrimin e tij, Qorrolli e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si “vendim të përçudshëm”.
Tutje, Qorrolli ka konsideruar se vendimi është në dëm të interesit publik.
Postimi i plotë:
Sot, Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetues në tërësinë e tij, Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Rreth 485 ditë ju deshën Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim të përçudshëm, që bie ndesh, jo vetëm me interesin publik, por edhe me praktikat e etabluara të Komisionit të Venedikut. Madje, pesë gjyqtarë të kësaj Gjykate i paskan gjetë "behane" tërë Ligjit, e jo vetëm ndonjë dispozite të tij, siç ndodh zakonisht! Paçka se ky ligj është draftuar me kujdes nga grupe punuese profesioniste – në procedurë standarde që ndiqet me vite të tëra dhe duke pasur parasysh praktikat dhe udhëzuesit e Komisionit të Venedikut.
Motivi i Qeverisë në përgatitjen e këtij ligji është i qartë si loti: llogaridhënia për të gjithë ata që janë pasuruar – duke keqpërdorur pozitën publike dhe duke gërryer qesen e shtëpisë së përbashkët, që quhet Republika e Kosovës.
Nuk ka forcë apo interes që do na ndalë në realizimin e kontratës tonë me qytetarët e Republikës së Kosovës: për drejtësi, transparencë dhe llogaridhënie.