Aleksandër Vlajiç është personi i tretë që është arrestuar brenda tri jave i dyshuar për spiunazh.
Ai ishte pjesë e Policisë së Kosovës në departamentin e Inteligjencës, ku dyshohet se kishte bashkëpunuar me shërbimin sekret serb BIA.
Edhe njëri nga të arrestuarit në Ferizaj javë më parë ishte hetues në këtë institucion i cili dyshohet për akuza të njëjta.
Koloneli në pension i FSK-së, Hysen Gecaj vlerëson se njerëz të tillë janë ndër kërcënimet më serioze të sigurisë kombëtare.
“Prandaj organet tona të hetuesisë dhe AKI duhet të jenë sy çelë, mirëpo nuk munden vetëm organet e ndryshme të rendit ose AKI ose hetuesi të ndryshme të kryejnë këtrë detyrë pa ndihmën edhe të institucioneve tjera të cilat krijojnë kushte të përshtatshme dhe strukturë të përshtatshme që të mos na infiltrohen njerëz të tillë nëpër institucionet tona”, thotë Gecaj.
Sipas tij, personat e tillë janë vështirë të dallueshëm andaj kërkon më shumë kujdes në pranimin e punonjësve në institucionet e sigurisë.
“Nëse me kohë nuk i paraprihet kësaj pune dhe nuk parandalojmë këto përmes mekanizmave dhe instrumenteve të institucioneve atëherë kur ata futen brenda është shumë më e vështirë të dallohen dhe të dihet se cilët janë sepse zakonisht ata njerëz janë të përgatitur mirë dhe e dinë se si funksion një institucion dhe konform saj ata kryejnë detyrat e veta”, shprehet Gecaj.
Kurse, hartuesi i Ligjit për Policinë thotë se ka shumë të tillë që janë të infiltruar në institucione e të cilët çdo ditë punojnë në dëm të vendit.
“Ne kemi pasë diskontinuinitet në aspektin e inteligjencës dhe këtu është ajo mungesa jonë që është dashtë pra prej formimit dhe derisa ato të funksionalizohet qoftë me rekrutim pra trajnim edhe ata të bëhen funksional dhe këto janë rezultatet e para”, ka thënë Nuredin Ibishi.
Ndaj të arrestuarit Vlajiç gjatë të enjtes Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.