​Tri kushtet e Kurtit, Haradinaj: Nisi fushatën zgjedhore, Radoiçiqin ta arrestonte këtu

Aktuale

​Tri kushtet e Kurtit, Haradinaj: Nisi fushatën zgjedhore, Radoiçiqin ta arrestonte këtu

Më: 27 qershor 2024 Në ora: 21:20
Ramush Haradinaj

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj deklaroi se kryeministri Albin Kurti nisi fushatën zgjedhore me sjelljen e tij në takimin në Bruksel.

Në një intervistë për A2 CNN, ish-kryeministri u shpreh se mosgatishmëria e Kurtit për t’u takuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq ishte për konsum të brendshëm.

“Ajo që pamë të mërkurën ishte fushata zgjedhore e Kurtit. Kurti po e rrezikon Kosovën, interesin e Kosovës duke i shërbyer veç efekteve zgjedhore, populiste, për shkak se këto kushte ka mund t'i paraqesë edhe në takim, të takohej, të paraqiste kërkesat e Kosovës, mos marrja pjesë në takim, ikja nga ballafaqimi, veç për efekte vendore, po i shkakton pasoja Kosovës.”

Haradinaj deklaroi se fatura për teket e Kurtit do t’i faturohet Kosovës, e cila ndodhet nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

“Kurti vetëm për efektin zgjedhor, për populizmin e tij, po e dëmton Kosovën, do t’i adresohet Kosovës faji për mos ecjen përpara, ka shumë zhvillime që ndodhin për Kosovën, rreth Kosovës, të cilat në e pësojmë nga sjellja e Kurtit për katër vjet rresht tash.”

Haradinaj tha se Kurti nuk është i gatshëm për zgjidhje në dialog pasi nuk po e vendos interesin e vendit në radhë të parë, ndërsa shtoi se Radoiçiqin mund ta kishte arrestuar në Kosovë.

“Interesi i Kosovës duhet të vendoset para efekteve zgjedhore, këtë s’e bën Kurti, e kemi parë se është populist dhe mashtrues enorm, edhe me këtë i mashtroi qytetarët thotë ‘ja unë i vendosa kushte’, ai e kishte këtu Radoiçiqin, por nuk e ndali, tash thotë i vendosa kushte, krejtësisht për efekte zgjedhore.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat