Në kazermën që e mban emrin e komandantit legjendar, oficerët erdhën me krenari.
E që Kushtrim Fazliu, u shoqërua nga babai i tij, Shekipi.
Ky i fundit, 26 vjet më parë, luftoi krah për krah me Adem Jasharin, në luftimet e marsit në Prekaz.
E gati tri dekada pas kësaj beteje të lavdishme, Kushtrimi do ta marrë gradën oficer në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Këtë moment mëzi po e pret, ish-bashkëluftëtari i Adem Jasharit.
“Tani ndihem shumë mirë, që edhe biri im, është bartës i uniformës e cila e ka origjinën tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe shpresojmë që gjeneratat e ardhshme, tani ta mbajnë me nder e krenari”, tregoi Shekip Fazliu.
E bashkëluftëtar i Shekip Fazliut, ishte edhe djali i Adem Jasharit, Kushtrimi.
Emrin e këtij të fundit, Fazliu ia vendosi të birit.
“Gjithë kemi qenë me shpresën për një ditë më të mirë, mirëpo atë të cilën e përjetova këtu, nuk e kam menduar asnjëherë gjatë luftimit tim në frontet e luftës dhe kjo më bën të ndihëm edhe më mirë”, rrëfeu Fazliu.
E momenti të cilin nuk e kishin menduar në vitin 1998, erdhi në vitin 2024.
Kushtrim Fazliu, ishte njeri nga 16 oficerë kadetët e gjeneratës 2024, që mori gradën oficer.
Oficeri i ri i ushtrisë së Kosovës, thotë se ndihet krenar që do t’i shërbejë atdheut.
Madje për këtë, edhe u betua.
“Ndihem shumë krenar për këtë vit që pata fatin me diplomuar në Qendrën për Studime Universitare. Bashkë me këtë krenari, kam edhe një obligim tjetër për gjakun e dëshmorëve dhe të tjerëve që kanë jep jetën që unë të jem në gjendje të diplomoj”, tha oficeri i FSK-së Kushtrim Fazliu.
Bashkë me Kushtrimin, gradën oficer e morën edhe 15 kadetë të tjerë të gjeneratës 2024 të Qendrës për Studime Universitare të FSK-së.