Problemet e vazhdueshme të operatorit mobil “Vala” me thirrjet telefonike dhe internetin, kanë bërë që shumë qytetarë të ankohen për shërbim të dobët.
Ani pse ata kanë mbi dy dekada që përdorin shërbimet e operatorit “Vala”, thonë se kohëve të fundit po kanë vështirësi gjatë realizmit të thirrjeve dhe përdorimit të internetit.
Disa nga ta janë “të përbetuar” se nuk do ta ndërrojnë operatorin pavarësisht parregullsive, e disa të tjerë thonë se do të shikojnë opsione të tjera.
Qytetari Ferik Milaimi shprehet i dëshpëruar me shërbimet e Valës, pasi shpeshherë nuk mund të realizojë thirrje dhe nuk funksionon interneti. Ai thotë se ka mbi 20 vjet që është konsumator i këtij operatori dhe për shkak të punës nuk mund ta ndërrojë numrin.
Milaimi: Nuk jam i kënaqur me Valën, as nuk bëjnë thirrjet e as 4G
"Viberi dhe 4G nuk punojnë askund. Me thirrje a po keni probleme? Kemi probleme, me Valën nuk jemi fare të kënaqur, prej kur e kam blerë numrin, nuk jam i kënaqur fare. Unë shkoj gjithkund, prej Dragashit, katastrofë është atje Vala. Qe sa kohë po keni probleme më shumë me Valën? Kohëve të fundit, që rreth dy muaj...4G nuk punon askund, unë e kam këtë numër që 20 vite. Po, normal ne si shqiptarë që bëhemi nervozë, kjo edhe më tepër po na bënë nervoz. A do ta ndërroni numrin? Nuk mundem se unë punoj me barnatore dhe e kam këtë numër, nuk po mundem ta ndërroj për këtë shkak se përndryshe do ta kisha ndërruar", tha Milaimi.
Edhe Mexhit Krasniqi tregoi se shpesh hasin në probleme me shërbimet e Valës. Ai thotë se arsyetimi është se “po punohet që të forcohet rrjeti”. Pavarësisht kësaj, Krasniqi është optimist se do të rregullohet rrjeti, derisa shprehet se nuk ka menduar ta ndërrojë numrin.
Krasniqi: Shpesh kemi probleme, Valën nuk kam menduar ta ndërroj asnjëherë
"Në fakt shpeshherë kemi probleme në këtë drejtim, por nuk e di kemi probleme...A të ka ndodhur ndonjëherë ta thërrasësh dikë dhe mos të hyjë lidhja? Po, më ka ndodhur, shpesh më ka ndodhur, këtë vitin e fundit shpesh. A jeni të kënaqur me shërbimet e Valës? Për momentin jo, ndoshta përmirësohen...Gjoja se janë duke punuar në atë drejtim ta përforcojnë rrjetin, në atë drejtim janë duke punuar, 'brenda këtij viti do të forcohet rrjeti, ashtu jemi informuar, nuk e di sa është e saktë...A keni mendar ndonjëherë ta ndërroni Valën për shkak të këtyre problemeve? Valën nuk kam menduar ta ndërroj asnjëherë, e kam pasur numrin prej fillimit", tha Krasniqi.
Po ashtu, edhe Mirsad Krasniqi, klient i Valës që nga vitet e pasluftës, theksoi se duhet të thërrasë disa herë një numër për shkak të problemeve teknike. Ai paralajmëron se do të heqë dorë nga shërbimet e Valës nëse vazhdon një gjendje e tillë.
Krasniqi: Këdo që po dëgjoj, 'Po po Vala ka probleme'
"Sa jen i të kënaqur me shërbimet e Valës? Aspak, sidomos kohëve të fundit sepse duhet ta përsërisësh numrin disa herë që të mund të marrësh, sepse njëherë po thotë 'Personin që po e thirrni nuk ka qasje në rrjet', por ai është afër teje. Lidhja është shumë, shumë e keqe...Këdo që po dëgjoj, 'Po, po, Vala ka probleme', ku qëndron problemi nuk e di. Atë numër e kam qe 22-23 vjet, jam klient i rregullt dhe njëfarë mënyrë të ketë kështu sjellje ndaj klientëve nuk është në rregull. A keni menduar ta ndërroni numrin? Sinqerisht po, nëse do të ketë kështu në vazhdimësi probleme, atëherë cili është qëllimi që unë ta mbajë atë numër", tha Krasniqi.
Isuf Metolli tha se në fillim gjithçka ishte në rregull më këtë operator mobil, porse kohëve të fundit nuk është i kënaqur me atë se çfarë po ofron Vala. Edhe Metolli potencoi se do të vazhdojë të jetë klient i Valës, pavarësisht pakënaqësive.
Metolli: Paguan, por nuk ke internet
"Në fillim ka qenë gjithçka në rregull, tani duke u dobësuar, duke u dobësuar. Për shembull paguan diçka, në fund nuk ke as internet as asgjë. A keni probleme ndonjëherë kur dëshironi ta thërrisni dikë nga Vala. Po, po ka ndodhur, rregullisht jo, por ndonjëherë po. Nuk jeni të kënaqur me shërbimin e Valës? Faktikisht, jo vetëm unë por pjesa dërmuese, nuk është...A keni menduar ta ndërroni ndonjëherë numrin? E kam shpërndarë këtë numër dhe këtë do ta mbaj deri në fund", u shpreh Metolli.
Zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Fadil Lepaja tha përmes telefonit se janë në fazën e ndërrimit të antenave aktuale me ato të rejat që do të jenë 4G plus dhe 5G.
Lepaja: Po ndërrohen antenat e vjetra
"Jemi duke i ndërruar (antenat) në rreth të Prishtinës. Ajo çdo ndërrim që bëhet e kërkon një periudhë...E di që është duke rrjedhur ky proces. Janë duke u ndërruar antenat e vjetra janë duke u ndërruar me antena të reja, 4G dhe 5G në Prishtinë. Pra, 4G plus dhe 5G. Të gjitha antenat tona do të jenë edhe 5G tash...Kemi hyrë në fazën e ndërrimit të antenave në regjionin e Prishtinës, i cili ka qenë i lënë për mbyllje të projektit, kjo herë pas here afekton një numër konsumatorëve por nuk është çështje afatgjate...Kemi filluar me Lipjanin, është vendosur antena e parë 5G atje", tha Lepaja.