Konjufca pas takimit me homologen sllovene: Nuk mund të flasim për paqe në rajon, pa pasur drejtësi për sulmin në Banjskë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në një konferencë për media pas takimit me kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakoçar Zupançiq, ka thënë se Sllovenia mbetet një shtet mik për Kosovën.
“I nderuar që ta pres në vizitën e saj të parë në Kosovë, kryetaren e Asamblesë së Sllovenisë, zonjën Zupançiq. Kryetarës i urova mirëseardhje dhe e falënderova për mbështetjen e palëkundur që Sllovenia i jep Kosovë në shumë procese sidomos ato euro integruese”, tha Konjufca.
Konjufca shtoi se homologen e tij sllovene e ka njoftuar edhe për zhvillimin ekomomik e shoqëror në Kosovë, si dhe e ka falënderuar edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe çështjes së anëtarësimit të Kosovën në Këshill të Evropës.
“E falënderova për përkrahjen e procesit të liberalizimit të vizave, proces ky i stërzgjatur dhe padrejtësisht i vonuar për qytetarët tanë. E falënderova edhe për mbështetjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, tha ai.
Kryeparlamentari shtoi se me Zupançiq kanë diskutuar edhe për sfidat aktuale dhe në Ballkan.
Konjufca theksoi se homologes së tij i ka shprehur shqetësimin për tendencën destabliziuese të Serbisë.
“Ia shpreha shqetësimin tonë si popull dhe si shtetet për tendencën destabilzuese të Serbisë në Kosovë, ku kulmuan me sulmin ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në Banjskë vitin e kaluar. Nuk mund të flasim për fqinjësi të mirë dhe paqe në rajon pa u dënuar dhe pa i vënë para drejtësisë kryerësit e këtij krimi dhe pa u adresuar përpjekjet e tilla destabilizuese”, tha Konjufca.
Zupançiq: I mbështesim përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në institucione të rëndësishme të BE-së
Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakoçar Zupançiq pas takimit që zhvilloi me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca ka thënë se raportet e dy kuvendeve janë shumë të qëndrueshme dhe miqësore.
Ajo përmes një konference për media tha se vizita e saj kontribuon në thellimin e raporteve mes dy vendeve.
“Bashkë me Konjufcën kemi pasur një takim të këndshëm dhe miqësor. Raportet e Kuvendit janë të qëndrueshme dhe shumë miqësore, dhe duam që ta shohim këtë bashkëpunim që të zhvillohet më tutje nga të gjitha fushat. Gjithmonë ka shumë mundësi për të forcuar dhe zhvilluar këtë raport. Kjo vizitë kontribuon në thellimin e raporteve mes dy kuvendeve. Kuvendi është i gatshëm që të ndaj eksperiencat e mira”, tha ajo.
Tutje Zupançiq u shpreh se Sllovenia e mbështet përpjekjen e Kosovës për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
Ajo gjithashtu foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi: “Dialogu është e vetmja rrugë përpara dhe gjithmonë na tregon që është rruga e duhur, si dhe dy vendet janë të përkushtuara për dialog, prandaj dhe ne jemi prezent këtu si pjesë e KFOR-it”, tha ajo.
Po ashtu kryeparlamentarja sllovene theksoi se: “Besojmë që kjo vizitë nuk është e fundit dhe ne do t’i hapim dyert për një bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe do të ju mbështesim në rrugën e BE-së dhe përpjekjet e juaja për anëtarësim në institucionet e rëndësishme”.
Presidentja Osmani pret në takim kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të presë në takim kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiq.
Takimi do të fillojë nga ora 12:30, ka njoftuar zyra për informim e Presidencës.
“Në orën 12:30, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič.
Mediat mund të marrin pamje tek pritja në hyrje të Presidencës dhe në fillim të takimit”, thuhet në njoftim.