Sot bota shqiptare u zgjua me lajmin e hidhur për vdekjen e kolosit të letërsisë, Ismail Kadare.
Botuesi i Gazetës kombëtare “Bota sot” Xhevdet Mazrekaj ka reaguar nëpërmjet një postimi në facebook lidhur me këtë lajm.
Mazrekaj ka theksuar se Kadare ishte një kolos i i letërsisë shqiptare dhe një zë i fuqishëm që ka pasqyruar shpirtin dhe historinë tonë me një mjeshtëri të rrallë.
Ai ka kujtuar edhe kohën kur ka bashkëpunuar me shkrimtarin Kadare, si dhe momentin kur gazeta “Bota sot” do t’i ndante çmimin e madh "Skënderbeu" për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën dhe letërsinë shqiptare.
Postimi i plotë i Mazrekajt:
Lamtumirë Ismail Kadare: kujtim nga bashkëpunimi me kolosin e letërsisë shqiptare
Me hidhërim të madh mësova lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare. Kadare ka qenë një kolos i letërsisë shqiptare dhe një zë i fuqishëm që ka pasqyruar shpirtin dhe historinë tonë me një mjeshtëri të rrallë.
Kam pasur fatin e jashtëzakonshëm të bashkëpunoj me të në vitet 1996 dhe 1997, kur ai shkruante kolumna një herë në javë për gazetën "Bota Sot". Si themelues dhe botues i kësaj gazete, më ka nderuar të punoj me një personalitet të tillë të shquar. Gjithashtu, në vitin 1997, Kadare u vlerësua me çmimin e madh "Skënderbeu", një çmim i ndarë nga gazeta "Bota Sot" për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën dhe letërsinë shqiptare.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë lexuesve të tij. Kujtimi dhe veprat e tij do të mbeten gjithmonë të gjalla në zemrat tona.
Pusho në paqe, mjeshtër i madh!