Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bislim Zyrapi, është dëshmitari i 75-të i ZPS-së në çështjen kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Zyrapi është planifikuar të dëshmojë për katër ditë, pasi Prokuroria ka kërkuar 8 orë për ta marrë në pyetje ndërkaq ekipet e mbrojtjes 25 orë.
“Sipas informacioneve të Panelit, ky dëshmitar nuk është në dispozicion për të dëshmuar të martën dhe të enjten pasdite. Prandaj, dëshmia e tij për këtë javë do të ndodhë për ditë të plota sot dhe të mërkurën, dhe për gjysmë ditë të martën dhe të enjten”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.
Po ashtu, Zyrapi u paraqit në gjykatoren e Gjykatës Speciale me avokat mbrojtës, belgun Rik Vanreusel, meqë sipas kryegjyqtarit Charles Smith ekziston rreziku i vetëinkriminimit nga ana e Zyrapit, gjatë kohës sa ky do të flas për veprimtarinë, strukturën, qasjen dhe bashkëpunimet e UÇK-së gjatë periudhës së aktakuzës.
Për ta dëgjuar dëshminë e ish shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në sallë janë të pranishëm që të katër të akuzuarit, përfshi Jakup Krasniqi që gjatë javëve të fundit ishte paraqitur vetëm me video-lidhje.