Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare e ka përshkruar atë si një kolos që ndriçoi rrugën e shqiptarëve drejt perëndimit me një brilancë të jashtëzakonshme.
Ndër të tjera, Kastrati tha se “gjatë viteve të errëta kur në Kosovë tentohej të imponohej poezia e Rakiçit për Simonidën, si dhe veprat e Vladan Gjorgjeviçit dhe Dobrica Qosiqit, të cilat përçonin mesazhe të një racizmi të paprecedentë ndaj shqiptarëve, ne lexonim Ismail Kadarenë. Kadare ishte mbrojtësi ynë i palëkundur!”
Postimi i plotë më poshtë:
Ismail Kadare ndriçoi rrugën tonë drejt Perëndimit me një brilancë të pakrahasueshme.
Gjatë viteve të errëta kur në Kosovë tentohej të imponohej poezia e Rakiçit për Simonidën, si dhe veprat e Vladan Gjorgjeviçit dhe Dobrica Qosiqit, të cilat përçonin mesazhe të një racizmi të paprecedentë ndaj shqiptarëve, ne lexonim Ismail Kadarenë. Kjo ishte përgjigja jonë ...prandaj Kadare ishte mbrojtësi ynë i palëkundur.
Vepra e tij e vendosi kulturën dhe historinë tonë në hartën e letërsisë botërore. Ky ishte kolosi ynë Kadare, laureati i shumë çmimeve ndërkombëtare i cili u pranua në Akademinë e Shkencave Sociale dhe Politike në Francë, duke zëvendësuar të madhin Karl Popper.
Siç thotë edhe Gabriel García Márquez, "Një shkrimtar është thjesht një reporter i realitetit të tij." Kadare, në rolin e tij si një reporter i vërtetë, jo vetëm që dokumentoi dhe denoncoi padrejtësitë dhe urrejtjet që përballoi populli shqiptar, por gjithashtu i dha zë dhe formë aspiratave tona për një të ardhme më të ndritur dhe më të drejtë.
Pusho në paqe, kolos!