Dorëzohet në Polici Mensur Bunjaku, personi që arriti t’i ikë Policisë në Merdar dhe shkoi drejt Serbisë

Aktuale

Dorëzohet në Polici Mensur Bunjaku, personi që arriti t’i ikë Policisë në Merdar dhe shkoi drejt Serbisë

Më: 2 korrik 2024 Në ora: 23:26
Ilustrim

Nuk janë të rralla rastet kur të dyshuarit që kapen për vepra të ndryshme penale arratisen para syve të Policisë.

Shpeshherë ka ndodhur që të dyshuarit të ikin qoftë nga lokacionet ku ka intervenuar Policia, apo edhe nga stacionet policore. Kështu ndodhi më 24 qershor edhe në pikën kufitare në Merdar.

Atë ditë nga pika kufitare drejt Serbisë kishte ikur Mensur Bunjakun, rreth 41-vjeçar.

I njëjti sot është dorëzuar në Polici, mëson Gazeta nga burimet e saja.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari atë ditë fillimisht ishte ndalur për kontroll dhe verifikim, ku rezultoi se është në listën e personave të kërkuar.

Gjithçka dyshohet se ndodhi për pak minuta, pasi një zyrtar policor i kërkoi të dyshuarit që ta parkonte veturën mirë, pasi ishte ndalur në shiritin ku vazhdonte qarkullimi.

Të njëjtat burime thonë se i dyshuari e shfrytëzoi rastin dhe pasi hipi në veturë, ia mbathi kah Serbia.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat