Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha ka komentuar takimin e kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë të mbajtur të martën në Bruksel.
Sipas tij, ky takim ishte pakuptimt pas kushteve të vëna nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti në takimin e fundit qe kishte në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Hoxha vlerëson se Serbia nuk është e interesuar për normalizim të raporteve me Kosovën.
Sipas tij, edhe nëse themelohet Asociacioni, Serbia prapë do të vazhdojë me përpjekjet e saj për destabilizimin e Kosovës.
“Po të formohej sot Asociacioni ju do ta shini se kjo nuk do t’i mjaftojë Serbisë. Ata themelimin e Asociacionit e kanë pretekst për ta dobësuar funksionimin e shtetit të Kosovës, sepse kërkesat e tyre sado që të materializohen ato nuk janë të mjaftueshme sepse ka një skenar me të gjerë”, ka thënë Hoxha.
Tutje ai ka theksuar se Serbia i ka varë shpresat tek fitorja e Rusisë në luftën në Ukrainë dhe fitorja e Donald Trump në SHBA për të realizuar planin e saj e që është destabilizimi i Kosovës.