ZPS për dëshmitarin e 76-të: U keqtrajtua nga anëtarët e UÇK-së, kushëriri i tij u rrëmbye

Aktuale

ZPS për dëshmitarin e 76-të: U keqtrajtua nga anëtarët e UÇK-së, kushëriri i tij u rrëmbye

Më: 4 korrik 2024 Në ora: 08:55 Përditësuar në ora: 14:17 më 04.07.2024
Seancë private

ZPS për dëshmitarin e 76-të: U keqtrajtua nga anëtarët e UÇK-së, kushëriri i tij u rrëmbye

Dëshmitari i 76-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili mban kodin Ë04445 dhe është me masa mbrojtëse, filloi dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pyetjet për këtë dëshmitar i filloi përfaqësuesja e ZPS-së, prokurorja Dunja Hadabi. Sipas përmbledhjes së lexuar nga ajo, dëshmitari është marrë në pyetje dhe është keqtrajtuar nga anëtarët e UÇK-së, ndërsa kushëriri i tij ishte rrëmbyer dhe më vonë u gjet i vdekur.

“Dëshmitari 04445 dhe të afërmit e tij përkrahnin LDK-në. Në 1998-ën, anëtarët e UÇK-së rrëmbyen e kushëririn e dëshmitarit 04445. Në 1998-ën u gjet trupi i kushëririt të dëshmitarit 04445. Në fund të 1998-ës disa pjesëtarë të UÇK-së e morën dëshmitarin 04445 nga shtëpia e tij dhe e quan diku dhe i thanë që kishin urdhër nga shtabi për ta marrë në pyetje. Dëshmitari 04445 është mbajtur për një natë në një dhomë pa shtrat dhe ushqim. Gjatë kohës që është mbajtur i ndaluar, dëshmitari 04445 është marrë në pyetje, është kërcënuar dhe është keqtrajtuar”, tha prokurorja.

Ajo shtoi se dëshmitari u lirua më pas, por u largua së bashku me familjen pasi u paralajmërua se anëtarët e UÇK-së po e kërkonin për ta vrarë.

“Anëtarët e UÇK-së e futën dëshmitarin 04445 në një kerr dhe e vozitën drejtë fshatit të tij dhe e liruan. Iu desh javë që të merrte veten nga lëndimet që i shkaktuan dhe trauma psikologjike ka zgjatur edhe më shumë. Disa kohë më pas, atij i thanë që anëtarët e UÇK-së e kërkonin për ta vrarë. Ai u fsheh dikun dhe u largua më vonë bashkë më familjen”, tha ajo e që me pas për pyetjet kërkoi seancë private.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth katër orë, nga të cilat një orë është ndarë për ZPS-në, 15 minuta për mbrojtësin e viktimave dhe dy orë e gjysmë për ekipet e mbrojtjes.

Gjatë pyetjeve të prokurores se a qëndrojnë ato që ka thënë për ZPS-në, dëshmitari tha se i ka folur vetëm të vërtetat.

“Ato të vërtetat i kam fol dhe të vërtetat do t’i foli”, tha ai. Duke shtuar se ato gjëra që i ka thënë për ZPS-në pasqyrojnë saktësisht atë që do të thoshte edhe sot në sallën e gjyqit.

Ndryshe, të gjitha dëshmitë e mëhershme ët dëshmitarit u pranuan në prova materiale së bashku me përmbledhjen e lexuar nga prokurorja.

Dëshmitari Zyrapi deklaron se deri në fund të ‘98-ës nuk ka pasur Gjykatë Ushtarake të UÇK-së

Dëshmitari Bislim Zyrapi deklaroi se deri në fund të vitit 19998 nuk ka pasur Gjykatë Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një pjesë nga dëshmia e tij në TPNJ gjatë vitit 2005,në të cilën kishte thënë që nuk ka pasur Gjykatë Ushtarake deri në fund të ’99-ës, për çka avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq tha se aty duhej të ishte viti 1998.

“… të mendoj ’99, diçka tjetër. Po, ’98, ashtu është”, tha dëshmitari më pas, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas Mishetiqit, dëshmitari për Zyrën e Prokurorit të Specializuar kishte thënë se gjatë muajve të verës dhe javëve të para pasi ishte kthyer sërish në Kosovë në nëntor të ’98-ës, kishte marrë shumë ankesa nga komandantët e zonave për sjelljet e ndryshme në zonat e tyre, si dhe për mungesën e rregullave dhe urdhrave nga lartë për t’u trajtuar këto çështje.

Dëshmitari tha se është e saktë të thuhet që kur kishte dëgjuar këto ankesa ia kishte raportuar Azem Sylës

Zyrapi theksoi se në disa raste kishte dijeni se në nëntor dhe dhjetor të ’98-ës disa nga ndërkombëtarët i raportonin Shtabit të Përgjithshëm shqetësimet e tyre për mungesën e disiplinës.

Sipas avokatit Mishetiq, UÇK-ja filloi t’i jepte qasje ndërkombëtarëve për të hyrë dhe vizituar personat që ishin të ndaluar. E dëshmitari tha se nuk i kujtohet nëse kishte inkurajuar komandantët e zonave që ta bënin këtë gjë.

“Nuk më kujtohet. Përveçse kur kemi qenë komandant i Zonës Shalës po, kur jam pyet. Për të tjerët nuk më kujtohet. Nuk jam pyet”, tha ai.

Dëshmitari Zyrapi u pyet se pse kishte mundësi të hynte OSBE-ja tek të ndaluarit në zonën e Llapit dhe se vendimi ishte i Remit apo i dikujt nga Shtabi.

“Në këtë rast, e di pak a shumë. Ky rast ka qenë i komandant Remit edhe më duket është me përfaqësuesin politik Adem Demaçi, ka qenë kjo çështje të cilët dytë kanë bisedu dhe Remi ka leju që të vizitohen. Nuk ka pas të bëjë me Shtabin e as me mua e as me ndonjë anëtarë… ndoshta me ndonjë anëtar tjerër, nuk e di, por unë kam dijeni që jo”, tha Zyrapi.

Dëshmitari pohoi se është marrë më shumë me ankesat e komandantëve të zonave për mungesë discipline dhe se më 28 nëntor 1998 kishte nxjerrë një urdhëresë që parashihte masa disiplinore për ata që nuk iu përmbaheshin rregullave.

“Sektori juridik në atë kohë është krijuar për këto çështje që mund të ndodhin disiplinore, por edhe ato vepra të rënda”, tha ai.

Dëshmitari kishte thënë për ZPS-në se përpara se të lëshohej kjo urdhëresë, kishin organizuar një takim në Shtabin e Përgjithshëm ku u diskutua aty që mënyra se si po ecnin gjërat dhe se si po merreshin me kolaboracionistët, do të thoshte që çdo veprim tani e tutje do të ndiqte procedurën ligjore dhe sektori juridik, do të vendoste nëse ky person ishte apo jo kolaboracionist dhe do të vendoset nëse dikush ose jo kishte qenë autor i veprës penale. Një gjë të tillë e pohoi edhe dëshmitari sot në sallën e gjyqit.

Zyrapi pohoi se në rast që kuptohej që një person ishte kolaboracionist, do të duhej të kalonte tek sektori i juridikës.

Sipas Mishetiqit, dikush duhej të emërohej si kreu i Gjykatës Ushtarake dhe se dëshmitari i kishte thënë ZPS-së se pas një propozimi nga Azem Syla u bë emërimi i Sokol Dobrunës.

“…normalisht ai propozim ka qenë edhe nga komandanti i zonës së Dukagjinit”, tha dëshmitari.

Më pas, dëshmitari u pyet se Haradinaj kur e bëri këtë propozim për çka ai tha se pasi është bërë kërkesa.

“Pasi është bërë kërkesa që të gjendet një ushtar i cili i ka përvojat juridike ose shkollat juridike edhe ka përvojë në këtë drejtim që të na dërgohet”, tha Zyrapi, duke shtuar se nuk e mban mend sa kandidatë ishin për këtë pozitë.

Dëshmitari tha se nuk e di se në cilën parti ka qenë më herët Sokol Dobruna, duke shtuar se synimi i tyre ka qenë që Gjykata Ushtarake është synuar që të bëhet e plotë.

“Synimi ka qenë që të bëhet e plotë, po asnjëherë nuk kemi mundur ta arrinim prej fillimit kur kemi fillu t’i formojë ose strukturojmë këto njësi e deri në fund të luftës nuk kemi arritë t’i bëjmë të plota”, tha ai.

Zyrapi tha se më herët nuk ka pasur mundësi të formohet një Gjykatë Ushtarake, pasi as vetë UÇK-ja nuk ka qenë edhe aq e formuar.

Dëshmitari thotë se kishin probleme me kolaboracionistët: Janë veshur si policë lokalë me uniforma serbe

Dëshmitari Bislim Zyrapi ka pohuar në Hagë se kanë pasur probleme me kolaboracionistët, për çka një shembull të tillë mori edhe për zonën e Dukagjinit, në të cilën sipas tij disa persona vishnin uniforma të policisë lokale serbe.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua dëshmia e Zoran Stijoviq, i cili sipas avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, kishte dhënë dëshmi në Tribulanlin e Hagës e që publikisht kishte deklaruar se ka punuar për Shërbimin e Sigurimit serb dhe se ky organ kishte së paku 200 burime-kolaboracionist brenda UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Në atë kohë, gjatë ristrukturimit dhe para saj, më së shumti popullata dhe probleme kemi pas me ato, sidomos me pjesën të cilët disa fshatra janë vesh edhe policë lokalë, sidomos në zonën e Dukagjinit dhe më vonë tani nuk e di më tutje se nuk ka qenë e imja të hulumtoj në drejtim, po më siguri nuk do të thom se a janë qaq numri i tyre e a kanë qenë nëpër radhët e UÇK-së a jo se është e vështirë të thuhet se nuk e kam bërë një hulumtim të tillë. Për ato është një sektor i veçantë, është sektori juridik, sektori i zbulim-kundërzbulimit që mund t’i ketë ato. Po për mua nuk mund të thonë se mund të ketë qaq se po të jenë qaq në kuadër të UÇK-së sigurisht ne nuk do të ishim sot këtu fare”, tha Bislim Zyrapi.

Zyrapi tha se këta persona që kanë veshur uniforma të tilla gjatë kohës së luftës kanë qenë më të rrezikshëm se çdokush tjetër, pasi që ata i kanë njohur dhe se dëmin që kanë pasur mundësi tt’ua sjellin ata nuk e ka pasur mundësinë dikush tjetër.

“Po, kur flasim për këto, visheshin policë lokalë në disa fshatra nëpër regjionin e Dukagjinit. Për ta janë veshur në uniformë të policisë lokale të Serbisë. Domethënë ajo ka qenë e barabartë i veshur me një uniformë si ushtar i kundërshtarit- i armikut dhe ka qenë më i rrezikshëm se çdo luftar që ka ardhë të luftojë kundra nesh në zonat në Kosovë, për arsye se ata persona na kanë njoftë, e kanë ditë territorin, na kanë njoftë neve dhe më shumë dëmin na e kanë pru ata se sa kanë mujtë me na e pru dikush nga jashtë që ka ardhë të na sulmon ose të na sulmon si njësi nga Sebria apo diku tjetër, tha ai.

Dëshmitari shtoi se personat e tillë kanë sjellë shumë pengesa qoftë në lëvizjen e UÇK-së, e po ashtu edhe në zhvillimet e më tutje në ato territore.

“Pengonte lëvizjet tona dhe qëndrimi ynë në ato territore. Në qoftë se janë veshur si policë lokalë, atëherë duhej të konfrontoheshim aty. Për atë, shpeshherë është dashur të largoheshim nga ato fshatra ose të ishim sa më larg tyre dhe më tepër ishte pengesë e lëvizjes edhe e ynja edhe zhvillimit të më tutje në ato territore”, tha Zyrapi.

Zyrapi thotë se Drejtoria Politike nuk vepronte si organ civil dhe s’i mbikëqyrte vendimet e komandantit të përgjithshëm

Dëshmitari Bislim Zyrapi deklaroi se Drejtoria Politike nuk i mbikëqyrte vendimet e komandantit të përgjithshëm për të garantuar që po zbatoheshin ato siç duhet.

Këtë deklarim e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, përmes avokatit Luka Mshetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Po ashtu, ai tha se është drejtë të thuhet se kjo drejtori nuk mbikëqyrte vendimet e marra nga komandanti i përgjithshëm.

Madje, ai pohoi se për Zyrën e Prokurorit të Specializuar kishte thënë se Drejtoria Politike nuk vepronte si një organ civil për mbikëqyrjen e veprimtarisë së UÇK-së.

“Po, ashtu kam thënë”, tha dëshmitari, duke mohuar se kishte dijeni se kush ishin zëvendësit e Thaçit në Drejtorinë Politike.

Ai u pajtua me faktin se arsyeja që nuk e dinte se kush ishin këta persona kishte të bënte me atë se punët e tyre nuk ndërvepronin më njëra-tjetrën.

Dëshmitari thotë se Drejtoria Politike e udhëhequr nga Thaçi nuk kishte të bënte me çështje ushtarake

Dëshmitari Bislim Zyrapi tha se Drejtoria Politike merrej me aspekte ndërkombëtare dhe politike, ndërsa ajo ushtarake kishte të bënte vetëm me çështje ushtarake.

“Nuk është ndarë Shtabi i Përgjithshëm në dy grupe, por pjesa politike është nda të veprojë me aspektet ndërkombëtare dhe me ndërkombëtarët, si me vëzhguesit që ishin në Kosovës, si me OSBE-në, si me të gjithë të merrej kjo drejtori dhe ky grup i pjesës politike, kurse çështja ushtarake është çështje ushtarake dhe të merret me çështje ushtarake”, tha ai duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Luka Mishetiq.

Zyrapi theksoi se grupi politik merrej me negociata dhe nuk përfshihej në çështjet ushtarake, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas Luka Mishetiq, në gjykimin ndaj Ramush Haradinajt në vitin 2008, dëshmitari kishte thënë se nga maji deri në shtator të ’98-ës, operacionet ushtarake nuk autorizoheshin paraprakisht nga Shtabi i Përgjithshëm në asnjë vend të Kosovës. Këtë argumentim të mbrojtjes, dëshmitari e pohoi me kokë, por përgjigja e tij nuk u dëgjua për publikun.

Dëshmitari pohoi se qëndron fakti se nga momenti kur kishte hyrë në Kosovë e deri në momentin që ishte larguar në shtator, nuk kishte komunikime të rregullta në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantëve të zonave.

“Vështirë ka qenë të komunikohet, përveçse nëse kemi shku, kam shku në atë zonë ose ai ka ardhë kah Shtabi, e që kemi mujtë të takohemi se ka qenë e vështirë. Nuk kemi pas një komunikim në mënyrë komunikuese në telefon ose…unë personalisht po foli, as me radio-lidhje, po kam mujtë vetëm fizikisht të takohem me ta”, tha tutje dëshmitari.

Sipas Mishetiqit, në çështjen ndaj Milutineviqit, dëshmitari kishte thënë që ka pasur një sallë komunikimi në të cilën ishte caktuar një oficer.

“Kështu, kjo është pas riorganizimit të Shtabit të Përgjithshëm kur është bërë Drejtoria Operative. Në kuadër të Drejtorisë Operative është ndërtuar salla operative, në atë sallë janë marrë të gjitha raportet dhe informacionet nga zonat, janë përpunuar dhe janë dhënë komandës se çfarë po ndodhë në ato zona ose raportime që po vijnë. Po është e vërtetë, kështu ka qenë”, tha ai.

Në të njëjtin gjykim, dëshmitari kishte thënë se roli i këtij oficeri ishte të kontaktonte zonat operative, të mësonte se çfarë kërkesash kishin, t’ua përcjelltë ato tek Shtabi dhe të krijonte një panoramë të çartë se çfarë po ndodhë në të gjithë territorin e Kosovës.

“Është përshkrim i saktë i eprorit në Drejtorinë Operative”, tha Zyrapi.

Ai shtoi se sa kishte dijeni, telefonat satelitorë i kishin marrë nga dhjetori i ’98-ës e më pas mohoi se e dinte nëse dikush nga anëtarët e UÇK-së kishte përdorur telefon të tillë më herët.

Zyrapi tha se qëndron fakti se nga mesi i korrikut kur ishte bërë vetë drejtor i Drejtorisë Operative nuk kishte telefon satelitor deri në dhjetor të ’98-ës.

Tutje, ai pohoi se Thaçi ishte vendosur në krye të Drejtorisë Politike në dhjetor të vitit 1998 dhe se Azem Syla e të gjithë të tjerët e vlerësonin aftësinë e tij politike.

Sipas Mishetiq, dëshmitari kishte thënë për ZPS-në se Thaçi nga Drejtoria Politike komunikonte drejtpërsëdrejti me Azem Sylën, por që përgjigja e Zyrapit nuk u dëgjua vetëm se u pa teksa pohonte me kokë.

Nuk u dëgjua as përgjigja e dëshmitarit kur Mishetiq i tha se a është e drejtë të thuhet se nga dhjetori i 1998-ës deri në mars të ’99-ës, Thaçi merrej me aspekte diplomatike, ndërkombëtare, kryente bisedime dhe i raportonte Azem Sylës.

Zyrapi: Nga nëntori-dhjetori i ‘98-ës s’e kam parë Thaçin në Kosovë deri kur është kthyer nga Rambujea

Bislim Zyrapi, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të enjten, deklaroi se nuk e ka parë Hashim Thaçin në Kosovë që nga nëntori ose dhjetori i ’98-ës deri në kohën kur është kthyer ai prej Rambujesë.

Sipas tij, gjatë kësaj kohe Thaçi ka qenë duke u përgatitur për takimet ndërkombëtare në Rambuje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Jo, deri në kohën kur është kthyer prej Rambujesë. Gjatë kësaj kohës, nëntorit-dhjetorit ai ka qenë jashtë në pjesën e Shqipërisë dhe që ka pas këto bisedimet me ndërkombëtarët, ishte duke u përgatitur për takimet dhe faktikisht për mbledhjen e Rambujesë e cila u mbajt  pastaj në shkurt. E di që në këto drejtime ka qenë e ka punu dhe ka vepru”, tha ai.

Më pas, Luka Mishetiq i cili është avokat në ekipin mbrojtës të Thaçit e ktheu vëmendjen e kundërpyetjeve të tij tek funksionimi i Drejtorisë Operative dhe asaj Politike pas fazës së riorganizimit të UÇK-së në nëntor të 1998-ës.

Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Edhe sot në Hagë do të mbahet seancë gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca e sotme do të jetë e fundit për këtë javë, teksa është njoftuar të nisë në ora 09:00.

Në ora 14:30 është paralajmëruar të ketë konferencë për media, nga Dhomat e Specializuara.

Gjatë ditës së djeshme u dëgjua deklarata e dëshmitarit Bislim Zyrapi.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Bislim Zyrapi tha se ishte mbajtur një takim në mes delegacionit dhe Shtabit të Përgjithshëm të vendosej nëse do të firmoset marrëveshja e Rambujesë ose jo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat