Gjykata Themelore në Ferizaj - Departamenti për Krime të Rënda, ka dënuar me gjithsej dy vjet heqje lirie të pandehurit D.M., H.B., për keqpërdorim detyre në lidhje me rastin Brezovica 1, ndërsa i akuzuari i tretë L.V. u dënua me një vit burg me kusht për degradim ose shkatërrim i mjedisit.
D.M. dhe H.B. u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga një vit heqje lirie dhe nga 500 euro gjobë. Po ashtu, të pandehurve D.M. dhe H.B. iu shqiptua dënim plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, për periudhë kohore prej një viti.
I pandehuri i tretë L.V. po ashtu u shpall fajtor dhe u dënua me një vit burg me kusht nëse brenda dy vjetësh nuk kryen vepër penale nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, si dhe dënim me gjobë prej 20.000 eurosh.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.