Anëtari i Komisionit për Ekonomi, nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj ka folur lidhur me rritjen e mundshme të vlerës së koeficientit të pagave nga Qeveria “Kurti”.
Ai thotë se pushteti aktual e ka keqpërdorur temën për rritjen e pagave.
“Kjo temë është dashur të jetë e mbyllur tani e sa kohë, por që fatkeqësisht është keqpërdorur si temë dhe proces nga Qeveria. Kjo Qeveri ka proklamuar që së shpejti do të rrisë koeficientin, por që zyrtarisht nuk kemi asnjë vendim për rritjen dhe vlerën sa do të jetë ky koeficient”.
Lekaj vlerëson se rritja e koeficientit nga Qeveri aktuale varet nga mbajtja e zgjedhjeve.
Sipas tij, nëse mbahen zgjedhjet në vjeshtë do të ketë ngritje ta pagave nëse jo, koeficienti do rritët në 2025-ten.
“Deri tani pushteti nuk ka dhënë ndonjë element për rritje të koeficientit apo rishikim të buxhetit. Rrethanat politike do të detyrojnë këtë Qeveri të rrisë koeficientin, nëse ka zgjedhje të reja në vjeshtë koeficienti do të rritet pak para zgjedhjeve, nëse zgjedhjet do të mbahen të rregullta atëherë koeficienti do të rritet me buxhetin e ri të vitit 2025”, vlerëson Lekaj.