Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport të premten shqyrtoi Raportin vjetor të punës së Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi, ka thënë se nuk është arritur ende të bëhet ndonjë akt ligjor ose rregullore.
“Sa i përket programeve të cilave duhet ta reflektojnë në nevojat e shoqërisë dhe tregut ne kemi potencuar se nuk kemi mundësi, jemi Komision që ndihmon në ngritjen e cilësisë por nuk mund të përzihemi në programe. Tregu ka filluar me u orientu nga këto programe, duke pasur parasysh numrin e studentëve që bien dhe profilizimi shkon sipas nevojave të tregut”, ka thënë ajo.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se janë shqetësuese programet pa akreditim.
“Vetë vendosin kodin dhe nivelin që aplikojnë këto specifika janë diçka që nuk është e zgjidhur. Ka qenë udhëzimi administrativ, ne jemi alarmuar që duhemi me bë një zgjidhje të përhershme jo të përkohshme, deri tash jemi munduar. Udhëzimi administrativ do të bëhet dhe do të kemi zgjidhje”, ka thënë ajo.
Deputeti, Enis Kervan, tha se gjuha turke ka nevojë për programe të reja, ndërsa kërkoi që udhëzimi administrativ të jetë veç për komunitetet apo të gjitha në një.
“Udhëzimi të cilin pothuajse e kemi hartuar është i tillë që garanton programet në gjuhë të komuniteteve, e ruan cilëson dhe zhvillon programet. Prorektorja prej Prizreni ka thëne se jemi pajtuar se ky format plotëson të dyjat”, u përgjigj Ilazi.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka thënë se është shqetësuese fakti se ende nuk është miratuar asnjë akt ligjor dhe rregullore.
Por për këtë pati përgjigje Kryetarja Ilazi. “Dy lloj dokumente që derivojnë në implementim të ligjit, rregulloret janë të përfunduara dhe janë aprovuar”, u shpreh Ilazi.