Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar dje dëshminë dëshmitari i 76-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili mban kodin Ë04445 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmia e tij u dëgjua në sesion privat.
Sipas familjes së Haki Imerit, veprimtar i vrarë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në këtë seancë në Hagë, u përmend edhe emri i gazetarit Baton Haxhiu, përcjell Bota sot.
“Në Gjykatën Speciale sot u shpalos kjo e vërtetë e dokumentuar se kush është Baton Haxhiu: argat i UDB-së den baba den. Nuk mund të fshihet nga e kaluara e tij udebeske pa marrë parasysh se çka shpif për të tjerët”, kanë shkruar nga kjo familje në një postim në Facebook.
Në këtë postim, ata kanë bashkangjitur edhe dy dokumente nga dëshmia.
Seanca e radhës në këtë çështje gjyqësore është paraparë të mbahet të hënën (8 korrik 2024).