Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, do të realizojë një vizitë zyrtare në Kosovë nga data 8 deri më 11 korrik, njofton Ambasada e Zvicrës në Kosovë.
Në njoftim thuhet se krahas takimeve zyrtare, ai do të vizitojë SWISSCOY-n në Mitrovicë për t’u informuar për punën dhe sigurinë, gjithashtu, situatën në veri të vendit.
“Vizita është pjesë e vazhdimit të Zvicrës në përpjekjet për të forcuar marrëdhëniet e saj dypalëshe me Kosovën dhe për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në njoftimin e ambasadës zvicerane.
Nussbaumer do të pritet në Prishtinë më 9 korrik nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Diskutimet do të fokusohen te parlamenti dhe bashkëpunimi teknik ndërmjet Shërbimeve Parlamentare të Zvicrës dhe Kuvendit të Kosovës, e cila filloi në vitin 2021 me mbështetjen e Departamentit Federal për punë të jashtme.
“Qëllimi i këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i ekspertizës dhe praktikave më të mira në fushën e komunikimit institucional dhe marrëdhënieve me publikun me qëllim rritjen e transparencës së punës së Kuvendit të Kosovës”, thuhet tutje.
Nussbaumer do të takohet gjithashtu me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, me të cilët do të diskutojë për përkushtimin e Zvicrës për Kosovën dhe aktualitetin e sfidat në rajon.
“Më 10 korrik, z. Nussbaumer do të takohet gjithashtu me përfaqësues të SWISSCOY dhe KFOR-in në Prishtinë, para se të udhëtojë për në Mitrovicë. Zvicra luan një rol aktiv në Kosovë duke promovuar përfshirjen e pakicave dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik. Nussbaumer do të zhvillojë bisedime me pakicën përfaqësuese dhe vizitojnë një qendër trajnimi profesional të mbështetur nga Zvicra”, thuhet tutje.
Eric Nussbaumer do të shoqërohet nga anëtarët e Këshillit Kombëtar Marc Jost dhe Cédric Wermuth.