Në gjykimin e ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të Gëzim Dushit, Fitim Mustafë dhe Ekrem Tahirit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, ka përfunduar dhënien e dëshmisë eksperti financiar, Shaip Bytyqi.
Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Ilirjana Çollaku Tafa, ekspertizën e ekspertit Bytyqi e ka quajtur provë të paargumentuar ligjërisht, joprofesionale dhe të pabesueshme. Sipas prokurores, konstatimet e ekspertizës nuk mund të pranohen nga një logjikë e shëndoshë.
Kurse, eksperti Shaip Bytyqi tha se të dhënat e paraqitura në ekspertizë janë të bazuara në fakte sipas dokumentacionit të cilin e ka pasur në dispozicion.
Gjatë seancës së sotme, 08.07.2024, fillimisht prokurorja vazhdoi me parashtrimin e pyetjeve drejtuar ekspertit financiar, të cilin ndër të tjera e pyeti se çfarë raporti kishte me avokatin Driton Muharremi, mbrojtësin e të akuzuarit Ekrem Tahiri.
Avokati që e zëvendësonte Muharremin, Agnez Furra, e kundërshtoi këtë pyetje me arsyetimin se një pyetje e tillë ishte personale dhe jashtë kornizës së pyetjeve që i drejtohen ekspertit.
Prokurorja Çollaku Tafa gjithashtu e pyeti ekspertin Shaip Bytyqi se në rast se mjetet e vëna në dispozicion për shërbimet në bazë të kontratës i përdorni për nevoja personale a do të thotë kjo se i keni kryer detyrat në pajtim me kontratën.
Edhe kjo pyetje u kundërshtua nga avokati Agnez Furra.
“E kundërshtoj sepse është sygjestive dhe jashtë ekspertizës” – tha avokati Agnez Furra.
Ndaj kundërshtimit të avokatit reagoi prokurorja, duke thënë se pyetja e saj nuk ishte sygjestive.
“Unë nuk po bëj pyetje sygjestive sepse nuk po sygjeroj diçka, por po e pyes për një kontratë në të cilën në konstatim ka thënë se shërbimet janë kryer në emër të kontratës. Dhe Prokuroria e sheh të domosdoshme meqenëse eksperti gjatë dhënies se dëshmisë ka deklaruar se nuk është konsultuar me ligjet që i rregullojnë fushën e prokurimit dhe fushat e tjera, ka treguar se nuk është jurist megjithatë ka konstatuar se shërbimet janë kryer në bazë të kontratës dhe Prokuroria po dëshiron me e ditë se a e kupton çka është kryerja e shërbimeve në pajtim me kontratën” – tha prokurorja speciale Ilirjana Çollaku Tafa.
Prokurorja më tej e pyeti ekspertin nëse ishte autorizuar për ta draftuar ekspertizën përmes avokatit Driton Muharremi.
Edhe kjo pyetje u kundërshtua nga avokati Agnez Furra.
“E kundërshtoj pyetjen pasi është jashtë objektit të ekspertizës dhe më tepër është çështje procedurale të cilën e vlerëson Gjykata” – tha avokati Agnez Furra.
Trupi gjykues nuk e lejoi përgjigjen në këtë pyetje.
Prokurorja e pyeti ekspertin nëse ishte e vërtetë se kishte punuar në një kolegj privat me avokatin Driton Muharremi.
“A është e vërtetë se ju keni punuar në Kolegin AAB, apo vazhdoni të punoni aty si profesor në të njëjtin kolegj ku po ashtu ka ligjëruar edhe avokati Driton Muharremi i cili ju ka autorizuar ta përpiloni tekstin?” – pyeti prokurorja.
As në këtë pyetje kundërshtimi i avokatit Agnez Furra nuk mungoi.
“Edhe këtë pyetje e kundërshtoj në tërësi sepse drejtohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe personale dhe nuk ka të bëjë me materien e ekspertizës” – u shpreh avokati Agnez Furra.
“Refuzohet përgjigjja se s’ka të bëjë me akuzën” – tha kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili.
Në fund të deklarimit, prokurorja Ilirjana Çollaku Tafa tha se mbetet në tërësi në përgjigjen në propozimin e avokatëve mbrojtës për marrjen e provave të reja të dorëzuara nga Prokuroria më 25.04.2024.
“Sa i përket ekspertizës në fjalë, Prokuroria ka konstatuar se pranimi i ekspertizës financiare e paraqitur nga avokati Driton Muharremi si provë e paargumentuar ligjërisht dhe konstatimet e dhëna nuk mund të pranohen as nga një logjikë e shëndoshë përveç që nuk i shkojnë ndriçimit të çështjes për më tepër është në kundërshtim me parimet e Kodit të Procedurës Penale. Prokuroria beson se ekspertiza e propozuar nga avokati Driton Muharremi nuk është profesionale, është e pabesueshme sepse eksperti ka raporte kolegiale, sepse janë mësimdhënës në të njëjtin kolegj” – tha prokurorja Ilirjana Çollaku Tafa.
Kurse eksperti financiar tha se të dhënat janë të bazuara në fakte dhe në dokumentacionin që e kishte pasur në dispozicion.
“Të gjitha të dhënat që i kam paraqitë në ekspertizë janë të bazuara në fakte sipas dokumentacionit të cilin e kam pasur në dispozicion” – u shpreh eksperti Shaip Bytyqi.
Asnjëri nga avokatët mbrojtës nuk patën pyetje për ekspertin.
Pas dhënies së dëshmisë së ekspertit, avokati Arbër Jashari kërkoi shtyrjen e seancës.
“Nuk ishim të përgatitur për këtë seancë, e kishim kërku mirëkuptimin tuaj ndoshta e kishim shty seancën” – tha avokati Arbër Jashari.
Këtë propozim e përkrahu avokati Florent Sadikaj.
“E përkrah propozimin sepse avokatët që i zëvendësuan avokatët e tjerë janë për herë të parë sepse ne të gjithë do ta paraqesim mbrojtjen me deklarim” – tha avokati Florent Sadikaj.
Edhe avokatët të cilët ishin në zëvendësim, Agnez Furra dhe Redon Byqmeti, e përkrahën propozimin që seanca të shtyhet.
Kundër propozimit nuk u shpreh as prokurori që ishte në zëvendësim për një pjesë të seancës, Fatos Ajvazi.
Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues në përbërje të Vesel Ismailit – kryetar dhe anëtarët Violeta Namani Hajra dhe Lutfi Shala.
Eksperti Shaip Bytyqi ishte ftuar nga mbrojtja e të akuzuarit Ekrem Tahiri që ta elaboronte ekspertizën e tij dhe dëshminë e tij kishte filluar ta jepte në seancën e kaluar.
Seancat e radhës do të mbahet më 9 dhe 10 shtator 2024.
Cilat janë pretendimet e Prokurorisë?
Prokuroria me aktakuzë pretendon se mbi 140 mijë euro të buxhetit të shtetit, të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave, përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.
Hetimet në lidhje më këtë rast kishin filluar pas hulumtimit të KALLXO.com dhe shkresave informuese të Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, të cilat kishin alarmuar Prokurorinë për kontratat lobuese të Ministrisë së Integrimeve Europiane dhe dyshimeve për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove nga kjo Ministri.
Në aktakuzën e PSRK-së përshkruhet se kompania, e cila ishte më e lira dhe që i kishte përmbushur të gjitha kriteret, ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme nga procesi i tenderimit. Për këtë arsye për keqpërdorim të detyrës po akuzohet Fitim Mustafa, i cili ishte shef i prokurimit në MIE.
Ai po akuzohet se është përfshirë në afera korruptive në momentin kur e ka shpallur fituese kompaninë “PR Solutions” dhe jo kompaninë e cila kishte ofertuar me çmimin më të lirë.
Sipas Prokurorisë, “N.Sh. 2B” ishte eliminuar nga gara në mënyrë të kundërligjshme edhe pse i kishte plotësuar të gjitha kriteret bazë të tenderit dhe ishte për 192 mijë euro më e lirë sesa kompania e cila në fund u shpall fituese.
Kontrata me kompaninë “PR Solutions” ishte nënshkruar nga ish-ministrja Dhurata Hoxha, e cila po akuzohet se i kishte shfrytëzuar mjetet e Ministrisë për promovimin e fushatës zgjedhore.
Hoxha po akuzohet se kontratën që kishte për qëllim informimin e qytetarëve për procesin e liberalizimit të vizave e kishte përdorur për publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që përmbanin të arriturat dhe vizionin e saj. Dëmi që Hoxha ia ka shkaktuar buxhetit të Kosovës përshkruhet të jetë mbi 140 mijë euro.
Ndërsa Gëzim Dushi akuzohet se kishte lejuar zbatimin e këtyre video-spoteve dhe banerëve ndonëse ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.
Në lidhje me zbatimin e kësaj kontrate po akuzohet edhe pronari i “PR Solutions”, Ekrem Tahiri, i cili përshkruhet se kishte bërë promovimin e fushatës zgjedhore të kandidates Dhurata Hoxha edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e ofruara ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.