7 dëshmitarë dëshmuan në gjykimin e vëllezërve Vllasaliu, të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Aktuale

7 dëshmitarë dëshmuan në gjykimin e vëllezërve Vllasaliu, të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Më: 8 korrik 2024 Në ora: 23:40
Pamje nga seanca

Shtatë dëshmitarë janë dëgjuar në seancën e 08.07.2024 në gjykimin e vëllezërve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

Ky gjykim filloi rishtazi pas ndryshimit të trupit gjykues. Në vend të gjyqtarëve Agim Kuqi dhe Ngadhnjim Arrni tash pjesë e trupit gjykues, të drejtuar nga gjyqtarja Mehdie Bytyqi, janë gjyqtarët Gent Beka dhe Adnan Kamberi.

Rasti për të cilin po gjykohen vëllezërit Vllasaliu ka ndodhur më 08.04.2021.

Në seancën e sotme u dëgjuan 7 dëshmitarë të ftuar nga Prokuroria.

Për shkak të gjendjes shëndetësore të dëshmitarit Mon Islamaj, trupi gjykues e aprovoi kërkesën e prokurorit Armend Hamiti që dëshmitari të mos dëshmonte por vetëm të lexohej deklarata e tij.

Dëshmitari vetëm tha se qëndron prapa deklaratave të dhëna në Polici dhe Prokurori në vitin 2021.

Edhe dëshmitarët Agim Hoti, Agim Krasniqi, Mehedin Salihu, Pajazit Ahmeti, Hajrullah Bajrami e Burim Murtezi thanë se qëndrojnë pranë deklaratave të tyre të dhëna në Polici dhe në Prokurori, si dhe iu përgjigjën edhe pyetjeve të prokurorit Hamiti dhe mbrojtjes së të akuzuarve dhe përfaqësuesit të familjes Rexhepi.

Dëshmitari Agim Hoti ka treguar se si ishte takuar me të akuzuarin Jeton Vllasaliu dhe tashmë të ndjerin në “Rrugën B” dhe aty kishte qëndruar me ta rreth 10 minuta, pastaj, sipas tij, me propozim të Bedri Rexhepit ishte larguar sepse “Bedriu kishte një çështje për ta biseduar me Jetonin”.

Po ashtu, dëshmitari tregoi se rreth 5 ditë më vonë kishte marrë një mesazh nga Bedri Rexhepi me përmbajtjen: “Agim jom taku meni Sërbe  qe 2 vjet qasan qa , edhe skam bateri a henez komu taku ne klinë me Beken”.

Pas këtij mesazhi me gabime drejtshkrimore, dëshmitari tha se ishte merakosur dhe ka tentuar disa herë ta kontaktonte në telefon Bedri Rexhepin por ai nuk e kishte hapur.

Gjithashtu, dëshmitari tha se një ditë pas marrjes së mesazhit nga Bedri Rexhepi kishte pranuar një thirrje nga Durim Krajkova, i cili tha se e ka pyetur nëse dinte ndonjë gjë për Bedri Rexhepin sepse ka humbur dhe s’po mund ta gjejnë.

Sipas dëshmisë së tij, në veturë me Durim Krajkovën kishte qenë Jeton Vllasaliu, i cili, sipas dëshmitarit kishte folur me një zë jonormal dhe me ton shumë të ngritur e alarmues: “O Agim  e kanë vra e kanë mytë se nuk po mujna  me e gjetë“.

Dëshmitari tha se më pas i ka pyetur se ku janë me lokacion dhe se ata kishin qenë në stacion policor në Lipjan.

Po ashtu ai shtoi se të akuzuarin Jeton Vllasaliun e ka njohur 1 vit e gjysmë ose 2 vite para se të ndodhet rasti.

Në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari Agim Krasniqi.

Ai tregoi se tashmë të ndjerin e kishte takuar te mekaniku më 08.04.2021, të cilit i kishte kërkuar ta dërgonte te lokali i tij dhe e kishin pirë nga një kafe shpejt pasi, sipas dëshmitarit, ai i kishte thënë se do shkonte t’i merrte dy vetura.

Sipas Krasniqit ata e kishin lënë të takohen në ora 21:00 dhe se pastaj nipi i tij kishte tentuar t’i telefononte Bedri Rexhepit por se këtij të fundit nuk i kishte bërë telefoni.

Tutje u dëgjua edhe dëshmitari Mehedin Salihu, i cili tregoi se të akuzuarin Jeton Vllasaliu e njeh pasi që ai kishte punuar te një kushëri i tij dhe që me të ishte takuar më 08.04.2021, pasi kishte për t’ia marrë disa para, të cilat, sipas dëshmitarit, Jeton Vllasaliu ia kishte borxh vëllait të tij.

Ai shtoi që në ditën kur Jeton Vllasaliu ia kishte dhenë paratë ishte me veturën ngjyrë hiri dhe ai nuk ka qenë duke vozitur.

Dëshmitari Pajazit Mehmeti në dëshminë e tij shtoi se të akuzuarin Jeton Vllasaliun e njeh që 20 vjet dhe me të ishte takuar për punëe gjatë bisedës Jeton Vllasaliu i kishte treguar që Bedri Rexhepi është zhdukur edhe pse dëshmitari nuk e njihte fare atë.

Ndërsa dëshmitari Hajrullah Bajrami në dëshminë e tij theksoi që me të akuzuarin Jeton Vllasaliun e kishte njoftuar puna pasi që ai ka depo me material ndërtimor. Gjithashtu, dëshmitari tha se i akuzuari ende i ka borxh.

Në fund e dha dëshminë dëshmitari Burim Murtezi, i cili po ashtu shtoi se të akuzuarin Jeton Vllasaliun e njeh nga puna sepse kishin punuar bashkë. Edhe ky dëshmitar tha se i akuzuari Jeton Vllasaliu ka një obligim ndaj tij në shumën 120 euro.

Për shkak se mbaroi orari i punës, seanca e sotme u ndërpre dhe seanca e radhës do të mbahet nesër më 09.07.2024, kur do të dëgjohen dëshmitë e dëshmitareve Nadire Gashi dhe Hanumshahe Rukovci.

Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu më 08.04.2021 Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë – Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.

Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.

Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat