Mungon deputeti Basha, shtyhet gjykimi në rastin ku një mërgimtar akuzohet se e kanosi atë

Aktuale

Mungon deputeti Basha, shtyhet gjykimi në rastin ku një mërgimtar akuzohet se e kanosi atë

Më: 10 korrik 2024 Në ora: 12:32
Dimal Basha

Për shkak të mungesës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është shtyrë seanca e paraparë për të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku mërgimtari Bajram Isufi akuzohet se e kanosi atë (deputetin).

Gjykatësi Dibran Isufi nuk përmendi arsyen e mungesës së deputetit, mirëpo ritheksoi se është arritur marrëveshja për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë dhe të akuzuarit Isufi, ashtu siç ishte përmendur në seancën e kaluar.

Edhe në seancën e mbajtur më 18 mars 2024, gjykimi ishte shtyrë për shkak të mungesës së të akuzuarit Isufi dhe deputetit Basha.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 shkurt 2024, thuhet se i akuzuari Bajram Isufi me banim në Gjermani, përmes rrjetit social “Facebook” me qëllim të frikësimit e ka kanosur seriozisht deputetin Dimal Basha në lidhje me punën dhe pozitën e tij, duke i shkruar mesazh në Facebook me fjalët “te kqyrum kujna po i shkon e kujt jo o p** n*! Plumba për tradhëtar të kombit ka me pas gjithë dhe ko me pas! Perhajr ju koft tash edhe rune prapani dhe familjen se tash e tutje s’dihet se ku ka me ju kersit!”.

Po ashtu, thuhet se i ka shkruar edhe mesazh tjetër me fjalët: “mos ha fort se bonbën në gojë ta shtijn gjinja, i vonshëm je ti”. Këto mesazhe, sipas Prokurorisë i kanë shkaktuar frikë dhe ankth deputetit Basha.

Andaj, me këto veprime Isufi po ngarkohet me veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat