Aliu: Borxhet që i kemi trashëguar në shpronësim kanë qenë rreth 200 milionë euro

Aktuale

Aliu: Borxhet që i kemi trashëguar në shpronësim kanë qenë rreth 200 milionë euro

Më: 10 korrik 2024 Në ora: 17:41
Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu deklaroi se borxhi i trashëguar në shpronësim ka qenë 184 milionë euro. Ai tha se kanë arritur që këtë borxh ta zvogëlojnë në 24 milionë euro, ndërkohë që mbi 100 milionë euro kanë qenë vetëm për pronarë të pronave private.

Liburn Aliu këtë e tha derisa bëri të ditur vendimin që u morr në mbledhjen e sotme të qeverisë për shpronësime që preken nga realizimi i Kompleksit Memorial në Reçak si dhe për zgjerimin e rrugës nacionale Kijevë-Zahaq.

Veç tjerash, në konferencë për media, ministrja e Ekonomisë Artana Rizvanolli ka njoftuar për vendimin e qeverisë që të paguajë mbi 21 milionë euro dëmshpërblim kompanisë amerikane “Contour Global”, pas humbjes në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se Kosova po zbaton vendimin e tribunalit të arbitrazhit, i cili e ka detyruar Kosovën t’i paguajë kompanisë “Contour Global”, mbi 21 milionë euro lidhur me projektin për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Rizvanolli deklaroi se kjo kontratë nuk ka qenë asnjëherë në favor të Kosovës.

Rizvanolli: Tribunali ka vërejtur se kontrata mes palëve nuk ka qenë asnjëherë në favor të Kosovës

“Vet tribunali ka vërejtur se projekti dhe kontrata mes palëve nuk ka qenë asnjëherë në favor të Kosovës. Sa e pa barabartë ka qenë kontrata, tregon fakti se kompensimi për kompaninë ‘Contour Global’ është caktuar në lartësi rreth 20 milionë euro, kurse për Republikën e Kosovës nëse ne do ta fitonim rastin, kompensimi do të ishte vetëm tetë milionë euro. Por kjo ka qenë diçka e cila ka qenë e pamundur të evitohet me të gjitha përgjatë fazës së mbrojtjes. Avokatura e shtetit dhe kompania kanë bërë gjithçka çfarë ka qenë e mundshme. Dhe këtë Avokatura e shtetit dhe kompanitë të cilat e kanë përfaqësuar Kosovën gjatë mandatit tonë qeverisës, kanë pasur suksese të jashtëzakonshme në të gjitha rastet e tjera ku kanë arritur të fitojnë dhe të mbrojnë buxhetin e shtetit prej shumave shumë më të mëdha deri në mbi 900 milionë euro në rastet e kaluara”, deklaroi Rizvanolli.

Në konferencë për media, ajo ka folur edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës për fillimin e procedurave të tenderimit për era ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga dhe për dhënien e mbështetjes për kapacitete deri në 150 megavat.

Rizvanolli: Kemi marrë vendim për autorizimin e fillimit të procedurave të tenderimit të kapaciteteve gjeneruese

“Sot në mbledhjen e qeverisë kemi marrë vendim për autorizimin e fillimit të procedurave të tenderimit për këto kapacitete gjeneruese si dhe për të dhënë mbështetje për këto. Dokumentacioni i tenderit si dhe skema do të përgatiten përgjatë muajve në vijim. Do të propozohen dhe do të trajtohen në kuadër të komitetit për partneritet publiko-privat dhe përmes këtyre synojmë të avancojmë edhe më tej qëllimet tona për të krijuar një sektor të energjisë më të qëndrueshëm, më të sigurt, më të pastër”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi se ndërtimi i kapaciteteve prej 100 megavat të erës do të jetë i ndarë në dy procese të konkurruese dhe do të ofrojë marrëveshje për blerjen e energjisë për së paku 15 vjet.

Rizvanolli: Parku i erës do të kushtojë rreth 200 milionë euro

“Në këtë fazë mund të flasim me shifra shumë preliminare, rreth 200 milionë euro. Mirëpo, kjo do të varet shumë edhe nga kapacitetet që do të vijnë si oferta edhe nga çmimet e tregut të cilat lëvizin gjithmonë. Sa i përket kohës së realizimit, mesatarisht në Evropë për ndërtimin e një parku të erës duhen shtatë vite me të gjitha procedurat, të studimeve paraprake, të përgatitjes së infrastrukturës përcjellëse, të marrjes së lejeve mjedisore”, u shpreh ajo.

Më tej, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu deklaroi se borxhi për shpronësimin e pronave private është ulur nga mbi 102 milionë në 24 milionë euro.

Aliu: Borxhet që i kemi trashëguar në shpronësim kanë qenë 184 milionë euro

“Borxhet që i kemi trashëguar në shpronësim që kanë qenë në total në 184 milionë euro dhe nga të cilat 102.8 milionë kanë qenë vetëm për pronarë të pronave private, sot kemi arritur ta zvogëlojmë deri në vlerën 24.366 milionë. Na 102 milionë në 24 milionë, gjë që ka qenë prioritet i yni që të mos kemi telashe në realizimin e projekteve. Të gjitha paratë dhe mbase që janë shtuar edhe shpesh herë në rishikime të buxhetit në fushën e shpronësimit, ministria ka arritur t’i realizojë sepse kjo ka qenë edhe një ndër pengesat kryesore për realizimin e projekteve ”, ka thënë ai.

Ai bëri të ditur se në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar i është dhënë drita e gjelbër vendimit për shpronësime që preken nga realizimi i Kompleksit Memorial në Reçak si dhe për zgjerimin e rrugës nacionale Kijevë-Zahaq.

Aliu: Sot u morr vendimi preliminar për shpronësim që të realizohet projekti i Kompleksit Memorial në Reçak

“Sot u morr vendimi preliminar dhe mbetet tash të bëhet vlerësimi i pronave në mënyrë që të mund të realizohet shpronësimi që t’i hapet rrugë plotësisht realizimit të projektit të Kompleksit Memorial të Masakrës së Reçakut. Dy vendime të tjera janë vendime për rrugë të cilat po ashtu janë vendime preliminare që do të pasohen me vlerësim nga Ministria e Financave dhe pagesë pastaj për këto vlera të pronave dhe bëhet fjalë edhe për dy projekte të tjera që është projekti i rrugës Prishtinë-Pejë, respektivisht segmenti Kijevë-Zahaq dhe më konkretisht për pjesën nga Dollci deri në Ramunë. Dhe projekti tjetër që është Cërkolez-Rakosh”, tha ai.

Aliu tha se projektet rrugore që po realizohen po ecin me ritme të shpejta.

Ndërkaq, sa i përket hekurudhës Durrës-Prishtinë, ai tha se Kosova është e gatshme që të vazhdojë pjesën e projektit.

Aliu: Kemi arritur në fazën e gjetjes së propozimit të varianteve të ndryshme

“Kemi arritur në fazën e gjetjes së propozimit të varianteve të ndryshme që janë dhënë dhe jemi në fazën e krahasimit të varianteve. Ato variante na janë propozuar duke e parë që ky projekt tashmë po merr rrugë, kemi edhe shfaqjen e interesimit edhe nga faktorët e tjerë financiar, të cilët kanë shprehur gatishmërinë që të jenë të përfshirë në realizimin e këtij projekti. Përndryshe ky projekt varësisht prej pozicionit që do të jap, a do të jetë varianti që e lidh Gjakovën me Shkodrën, apo do të jetë varianti që e lidh Prizrenin me Milotin është çështje që më shumë do ta tregojë fizibilitetit, sepse më shumë është pjesë e territorit të Shqipërisë”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat