Shala: Rritja e pagave është manipulim i Qeverisë

Aktuale

Shala: Rritja e pagave është manipulim i Qeverisë

Më: 11 korrik 2024 Në ora: 08:05
Ferat Shala

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, e ka cilësuar si mashtrim të pozitës deklaratat se kinse paga mesatare në vend është ngritur për 30 %.

Shala thotë se pushteti po mundohet me shifra të pavërteta t’i fshehë dështimet.

“Rritja e pagave është manipulim, pra kjo nuk qëndron, kjo është lojë me numra, me shifra. Në këtë formë Qeveria  po mundohet t’i mbuloj dështimet e veta”, tha Shala.

Sipas tij, në fund të mandatit Qeveria po proklamohet me rezultate që realisht nuk ekzistojnë.

Deputeti i PDK-së tha se gjendja në sektorin privat në Kosovë është shumë e rëndë.

“Qeveria po e vazhdon mënyrën e marketingut zgjedhor në fund të mandatit. Ajo po mundohet të mbjellë një frymë të rezultateve që nuk ekzistojnë. Statistikat tregojnë se kemi pasur rritje të lartë të inflacionit, kemi pasur rënie të eksporteve. Sektori privat kurrë nuk kanë qenë në situatë me të rëndë”, ka thënë ai.

Shala ka përmendur dështimet e pushtetin në sferën e ekonomisë.

“Asnjë indikator real nuk e shohin se kemi pasur rritje. Kemi dështuar në investime strategjike, kemi dështuar në thithjen e investitorëve strategjik. Pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve publike operojnë me humbje. Kjo Qeveri përveç retorikës dhe marketingut nuk ka asgjë reale”, thotë Shala.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat