Gjykata Speciale cakton datën: Ja kur shpallet aktgjykimi ndaj Pjetër Shalës

Aktuale

Gjykata Speciale cakton datën: Ja kur shpallet aktgjykimi ndaj Pjetër Shalës

Më: 11 korrik 2024 Në ora: 11:20
Pjetër Shala

Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale do ta shpallë aktgjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, më 16 korrik në orën 14.

Specialja njoftoi se aktgjykimi ndaj Shalës, i cili akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar kur supozohet se u keqtrajtuan njerëz dhe një u vra, do të shpallet në një seancë publike dhe se ajo “mund të përcillet në shqip, anglisht dhe serbisht”.

Shala akuzohet se përafërsisht mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, së bashku me disa ushtarë, policë dhe roje të UÇK-së, morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë. 

Sipas Aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin persona për të cilët dyshohej se bashkëpunonin me Serbinë ose nuk përkrahnin UÇK-në, dhe të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime.

Në procesin gjyqësor morën  pjesë tetë viktima të përfaqësuar nga një avokat.  

Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi aktakuzën fillestare kundër Pjetër Shalës më 12 qershor 2020 dhe ai u arrestua në Belgjikë më 16 mars 2021 dhe më pas u transferua në paraburgimin e Speciales më 15 prill të atij viti.  

Gjykimi ndaj Shalës filloi më 21 shkurt 2023. Ai është deklaruar i pafajshëm dhe ka thënë se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat