Kolaj: Projektligji vendos çeshtjen e pasurisë së pajustifikueshme si pjesë e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Aktuale

Kolaj: Projektligji vendos çeshtjen e pasurisë së pajustifikueshme si pjesë e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Më: 11 korrik 2024 Në ora: 12:09
Astrit Kolaj

Astrit Kolaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se Projektligji për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit, Avancimin dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, përzien kompetencat e Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial dhe Byrosë, për shkak se vendos kontrollin e pasurisë së pajustifikueshme në kuadër të kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Këtë deklarim, ai e bëri të enjten gjatë prezantimit të raportit “Integriteti i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve” (Problemet kushtetuese dhe ligjore me Projektligjin aktual).

“IKD ka gjetur që Neni 30.2. i Projektligjit përzien kompetencat e KGjK-së, KPK-së me Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Kjo pasi edhe futja e çështjes së pasurisë së pajustifikueshme në kuadër të kontrollit të integritetit, është përzierje të kompetencave të KGjK-së dhe KPK-së me kompetencat e Byrosë. Nëse Byroja paramendohej që të kishte mandat edhe në raport me gjyqtarët dhe prokurorët, është e pakuptimtë që punën e njëjtë ta bëjë edhe KGjK dhe KPK”, tha Kolaj.

Hulumtuesi theksoi se IKD rekomandon fshirjen e dispozitave të Projektligjit që kanë të bëjnë me pasurinë e pajustifikueshme.

Po ashtu, ai theksoi se Projektligjit i mungon përcaktimi specifik se çka konsiderohet shumëllojshmëri etnike dhe çka konsiderohet barazi gjinore brenda sistemit të drejtësisë.

“Me këtë Projektligj, konkretisht me Nenin 5, paragrafi 3 dhe 4 janë përcaktuar vetëm në mënyrë parimore obligimin e KGjK-së dhe KPK-së për përfaqësim gjinor. Duke u nisur nga praktikat, nëse një dispozitë e tillë nuk specifikon çka konsiderohet shumëllojshmëri etnike dhe çka konsiderohet barazi gjinore brenda sistemit të drejtësisë, rrezikon të mos zbatohet”, shtoi Kolaj.

Andaj, tha se rekomandojnë specifikimin e saktë në Projektligj të përfaqësimit etnik dhe gjinor në sistemin e drejtësisë.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të enjten, me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Sundimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan dhe të National Endowment for Democracy (NED), publikoi raportin “Integriteti i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve” (Problemet kushtetuese dhe ligjore të Projektligjit aktual). 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat