​PDK: Qeveria ia humbi vendit 21 milionë euro, të barabarta me 42 mijë paga mesatare

Aktuale

​PDK: Qeveria ia humbi vendit 21 milionë euro, të barabarta me 42 mijë paga mesatare

Më: 11 korrik 2024 Në ora: 14:15
Bernard Nikaj

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se vendimi i qeverisë për t’i paguar dëmshpërblim 21 milionë euro kompanisë amerikane “Contour Global” ka qenë i qëllimshëm, kështu duke i bërë dëm buxhetit dhe ekonomisë së vendit.

Për këtë vlerë u tha se është e barabartë me 42 mijë paga mesatare në Kosovë apo 210 mijë pensione, për çka e vlerësuan si humbje të madhe për qytetarët e vendit.

Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, në një konferencë për media tha se qeveria aktuale ka dështuar në menaxhimin për krijimin e kapaciteteve të reja energjetike, duke mos nisur asnjë projekt të ri.

Dështim të kësaj qeverie, Nikaj përmendi edhe anulimin e projektit për gazin natyral.

Ndërkaq, ai shtoi se si rezultat i të gjitha këtyre dështimeve, janë qytetarët ata që paguajnë çmimet e larta të faturave të energjisë elektrike.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci tha se dëmshpërblimi prej 21 milionë eurove ndaj kompanisë amerikane do të dëmtojë buxhetin dhe ekonominë e Kosovës.

Si rezultat i mospunës dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë aktuale, Stavileci tha se qytetarët duhet te paguajnë 150 milionë euro më shumë për energji elektrike, pa u shtuar asnjë megavat në sistem sipas tij.

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Stavileci tha se dështimet e kësaj qeverie bien në kurriz të qytetarëve, derisa shtoi se ekonomia e vendit tonë ka nevojë për energji të sigurt dhe çmime të përballueshme.

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka marrë vendim që t'i paguaj mbi 21 milionë euro dëmshpërblim kompanisë amerikane “Contour Global”, pas humbjes në Gjykatën Arbitrazhit Ndërkombëtar vitin e kaluar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat