Arrestohet i dyshuari për fajde dhe për shtytje për vetëvrasje

Aktuale

Arrestohet i dyshuari për fajde dhe për shtytje për vetëvrasje

Më: 11 korrik 2024 Në ora: 20:50
Ilustrim

Personi me iniciale E.G. është arrestuar sot, më 11.07.2024, nën dyshimin për veprat penale – fajde, dhe – shtytje në vetëvrasje, në Graçanicë.

I njëjti ishte në kërkim nga Policia e Kosovës që nga data 15.05.2024.

Me urdhër të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.

“Policia e Kosovës, konkretisht hetues policor nga Drejtoria për hetimin e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, sot më 11.07.2024, kanë intervistuar personin e dyshuar të apostrofuar më lart me iniciale, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “fajde” dhe “shtytje ne vetëvrasje”, dhe me vendim të prokurorit i njëjti është derguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore”- thuhet në raport.

Kallxo ka raportuar më 15.05.2024 se dy persona janë arrestuar e një i tretë gjendet ende në kërkim nën dyshimin se kanë kryer veprën penale – shtytje në vetëvrasje, që ka ndodhur në Graçanicë.

Lidhur me këtë rast Prokuroria e Prishtinës kishte konfirmuar se ngjarja është duke u hetuar edhe për fajde.

“Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, të dyshuar për veprat penale ‘Shtytja në vetëvrasje’ dhe ‘Fajdeja’” – kishte thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

Çfarë dihej për këtë rast?

Fillimisht, në raportin 24-orësh policor është njoftuar se më 14.05.2024 në 07:00h në Graçanicë një burrë ka raportuar se ka vërejtur një person që dyshohet se ka qenë i vdekur.

Me të marrë informacionin, ekipet e Policisë bashkë me ekipet mjekësore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Aty ekipi mjekësor ka konfirmuar vdekjen e viktimës.

Tutje raporti zyrtar i Policisë ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në vazhdën e veprimeve hetimore, zyrtarët policorë në koordinim me prokurorin dhe me urdhër të gjyqtarit kanë bërë bastisje në dy lokacione të ndryshme.

Në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar disa dokumente, ndërsa në lokacionin e dytë në shtëpinë e dy të dyshuarve nuk është gjetur asgjë e dyshimtë që ndërlidhet me rastin.

Policia njoftoi se dy prej të dyshuarve janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Po ashtu u tha se i dyshuari i tretë pasi që nuk është hasur në shtëpi gjendet në kërkim policor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat