ASK-ja publikon të dhënat, ky është numri i popullsisë së Kosovës

Aktuale

ASK-ja publikon të dhënat, ky është numri i popullsisë së Kosovës

Nga: Bota sot Më: 12 korrik 2024 Në ora: 06:28 Përditësuar në ora: 12:25 më 12.07.2024
Pamje nga publikimi i të dhënave nga ASK-ja

Regjistrimi i popullsisë, Kastrati: Banorët që kanë refuzuar të regjistrohen do të gjobiten

Të gjithë banorët e Kosovës të cilët kanë refuzuar të regjistrohen do të gjobiten.

Kështu, ka thënë në një konferencë për media ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.

Ai tha se është një numër i vogël i atyre që nuk kanë dashur të regjistrohen dhe se bëhet fjalë për qindra persona, pa kaluar në mijëshe.

Kastrati tha se për individ gjoba është 2 mijë euro, ndërsa për të tjerët deri në 20 mijë euro.

Nga gazetarët u pyet nëse ka statistika se sa është numri i popullsisë sipas etnive, por se tha se deri më tani nuk ka statistika të ndara në këtë aspekt.

Përveç kësaj, Kastrati tha se ende nuk mund të publikohen te dhënat nga shënimi i dëmeve nga lufta.

Ky është fituesi i shpërblimit të ASK-së për regjistrimin e popullsisë, do të marrë 10 mijë euro

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka shpallur fituesin në lojën shpërblyese për atë që e gjen saktë numrin e popullsisë rezidente në Kosovë.

Fituesi është Alberit Sopa, i cili do të marrë shpërblim 10 mijë euro bruto.

Sopa ka parashikuar se popullsia rezidente e Kosovës do të jetë 1 milion e 586 mijë e 640, 19 banorë më pak se sa doli.  

Parashikimi i tij ka qenë më i afërti me shifrën që dha ASK, e që është 1 milion e 586 mijë e 659.

Në këtë lojë shpërblyese kanë marrë pjesë 23 mijë e 494 pjesëmarrës.

ASK tregon numrin, ja sa banorë i ka Komuna e Prishtinës

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar sot rezultatet e regjistrimit të popullsië, ekonomive familjare dhe banesave. Sipas të dhënave preliminare, Kosova ka 1 milion e 586 mijë e 659 banorë rezidentë. Por, si është e shpërndarë kjo popullsi nëpër komuna?

Bazuar në të dhënat e ASK’së, Komuna me më së shumti banorë është ajo e Prishtinës, me 227 mijë e 154 banorë. Pas Kryeqytetit renditet Komuna e Prizrenit me 147 mijë e 428 banorë, pasuar nga Ferizaji me 109 mijë e 345 banorë,.

Ndërkohë, në komunat në veri të vendit popullsia është si vijon: Mitrovicë e Veriut 2 mijë e 346 banorë, Leposaviq 3 mijë e 207 banorë, Zubin Potok 758 banorë dhe Zveçan 435 banorë.

Ushtruesi i detyrës së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, pati bojkotim në masë të madhe.

Komuna e Pejës ka kaq banorë

Agjencia për statistika e Kosovës (ASK), ka dalë me rezultatet preliminare në nivel komunash për regjistrimin e popullsisë për vitin 2024.

Sipas ASK, katër komunat e rajonit të Pejës së bashku kanë mbi 174 mijë banorë, e udhëhequr nga Peja e cila e mban edhe primatin si qyteti më i madh.

Peja nga regjistrimi i popullsisë ka arritur të grumbullojë mbi 82 mijë banorë. E pasuar pastaj nga komuna e Istogut dhe ajo e Klinës me mbi 33 mijë respektivisht 30 mijë për kokë banori.

Deçani në gjirin e saj ka popullsi mbi 27 mijë duke e bërë komunën me më së paku banorë për rajonin e Pejës.

Statistikat e sakta nga rajoni i Pejës janë këto:

Peja: 82.661 banorë

Istogu: 33.066 banorë

Klina: 30.574 banorë

Deçani: 27.758 banorë

Vlen të theksohet se Prishtina mbetet me numrin më të madh të popullsisë me mbi 227 mijë banorë.

Regjistrimi i popullsisë - këto janë nëntë komunat me rritje të banorëve

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar sot të dhënat e para lidhur me regjistrimin e popullsisë, ku 1,586,659 janë banorë rezidentë.

Nga ky numër 795,046 janë meshkuj dhe 791,614 femra.

Gjatë publikimit të të dhënave u bë e ditur se nga 38 komuna të Kosovës, nëntë prej tyre kishin rritje të popullsisë, ndërkaq në 29 tjera ka pasur rënie.

Komunat ku ka pasur rritje janë: Fushë Kosovë, Partesh, Shtërpcë, Graçanicë, Kllokat, Prishtinë, Obiliq, Mamush dhe Ferizaj.

Fushë Kosova ka rritje të popullsisë 83,99 për qind

Parteshi ka rritje 81.93 për qind

Graçanicë 81,46 për qind

Shtërpcë ka rritje 56,71 për qind

Kllokoti ka rritje 19,13 për qind

Prishtinë ka rritje prej 14, 21 për qind

Obiliq ka rritje prej 5,78 për qind

Mamusha ka rritje prej 1,96 për qind

Ferizaj ka rritje prej 0,68 për qind.

Ndërkaq, 29 komunat tjera kanë shënuar rënie të popullsisë.

Kurti: Realizimi i regjistrimit të popullsisë, ishte një nga projektet më me prioritet këtë vit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, po merr pjesë në publikimin e të dhënave të para të regjistrimit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Kurti tha se realizimi i regjistrimit të popullsisë ishte një nga projektet më me prioritet të qeverisë gjatë këtij viti.

“Realizimi i regjistrimit të popullsisë ishte një nga projektet më më prioritet të qeverisë gjatë këtij viti, duke marrë parasysh rëndësinë e të dhënave në kohë si dhe raundin e regjistrimeve globale 2015-2024, ku edhe Kosova do të jetë pjesë e këtij zhvillimi”.

“Ky regjistrim është një reflektim i përkushtimit tonë për të kuptuar dhe adresuar nevojat e popullatës sonë, duke siguruar si shpërndarje të barabartë të burimeve, ashtu edhe për hedhje të bazave për vendimmarrje për të informuar që do të formësojë të ardhmen e Kosovës”.

“Në një mënyrë, statistikat e mirëfillta janë si GPS-i për të ardhmen e vendit tonë. Me të dhëna të sakta, jemi të sigurtë se nuk do ta humbim rrugën dhe do ta gjejmë destinacionin tonë, përndryshe pa to do të përfundojmë duke bërë rrotullime e rrjedhimisht të humbim resurse të vlefshme”, tha Kurti.

Më tej, Kurti tha se nxjerrja e të dhënave të plota dhe të sakta do t’iu mundësojë vendimmarrësve, duke filluar nga niveli lokal e qendror për orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët.

Pa statistika cilësore, edhe vendimet mund të jenë jo cilësore. Statistikat janë një e mirë publike dhe duhet përdorur për marrjen e vendimeve bazuar në dëshmi. Në demokraci, marrja e vendimeve politike duke u bazuar në dëshmi është shumë më rendësi për të ofruar.

ASK-ja publikon të dhënat, popullsia e Kosovës përbëhet nga 1.5 milionë banorë

1 milion e 586 mijë e 659 banorë rezidentë ka Kosova, sipas regjistrimit të fundit popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Prej tyre, 795 mijë 45 janë meshkuj dhe 791 mijë e 614 femra.

Këto të dhëna preliminare i ka prezantuar sot Ushtruesi i detyrës së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, në një konferencë ku po marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, ministra, kryetarë komunash e ambasadorë.

Sipas këtij regjistrimi, mosha mesatare për vitin 2024 është 34.82 (rritje për 4.85 vjet). Raporti gjinor nuk ka ndryshime. Dominojnë meshkujt.

Tani në vend dominon popullsia e grup moshave 16-64 vjet.

Tri komunat me dendësinë më të madhe të popullsisë janë Fushë Kosova, Mamusha dhe Prishtina.

Numri i banesave është 560 mijë. Numri i ekonomive familjare 353 mijë ekonomi familjare, derisa numri mesatar i anëtarëve për familje është 4.5 banor.

Kastrati tha se në komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, pati bojkotim në masë të madhe. Ai shtoi se rezultatet përfundimtare pritet të publikohen në dhjetor. 

“Rezultatet mund të ndryshojnë pak nga të dhënat paraprake”, tha Kastrati.

Kryeministri Albin Kurti e vlerësoi këtë proces si shumë të rëndësishëm për vendin, duke theksuar ndikimin në vendime.

“Statistikat e mirëfillta janë si GPS për të ardhmen tonë. Me të dhënat e sakta jemi të sigurtë që nuk do ta humbim rrugën e ta gjejmë destinacionin tonë…Pa statistika cilësore edhe vendimet mund të jetë të pasakta e jo cilësore… Ky regjistrim është edhe shembull i bashkëpunimit dhe harmonisë të të gjithë njerëzve që morrën pjesë në këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin dhe të ardhmen tonë”, tha Kurti.

Regjistrimi i popullsisë u bë nga 5 prilli deri më 24 maj. Këtë herë, kanë qenë shtatë pyetësorë për plotësim. Në këtë regjistrim, është shtuar edhe pyetësori për dëmet e luftës dhe pyetësori për regjistrimin e bashkëatdhetarëve.

Mbledhjen e këtyre të dhënave, Agjencia e Statistikave e ka arsyetuar me rëndësinë për të bërë politika më të mira për vendin, për ta planifikuar buxhetin dhe investimet, për t’i përmirësuar kushtet e jetesës në vend dhe për investime të huaja.

Sipas ligjit, çdo banor i Republikës së Kosovës detyrohet, që gjatë Regjistrimit, zyrtarit për regjistrim t`ia ofrojë të gjitha të dhënat e sakta në pyetësorët e Regjistrimit të Popullsisë. Për ata që kanë refuzuar të ofrojnë të dhënat apo kanë ofruar të dhëna jo të sakta, do të pasojnë gjobat.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, sipas të cilit numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, ishte 1 milion e 739 mijë e 825. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

Sot publikohen rezultatet paraprake të regjistrimit të popullsisë

Agjencia e Statistikave të Kosovës, njoftoi dje se publikimi i rezultateve paraprake të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024) do të bëhet sot (12 Korrik 2024).

Me këtë rast, ASK-ja ka organizuar një Konferencë ndërkombëtare, e cila do të mbahet në Hotel Emerald prej orës 10:00.

“Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos2024) është një nga projektetet më madhore të një vendi në kohë paqeje, i realizuar nga 05 Prill deri më 24 maj 2024. Të dhënat paraprake përfshijnë numrin e popullsisë sipas gjinisë në nivel të komunave përfshirë trendët më të fundit demografike”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) falënderon të gjithë qytetarët e Kosovës për bashkëpunimin që kanë treguar gjatë këtij procesi, të gjithë stafin e përfshirë në Regjistrim, institucionet që kanë mbështetur këtë proces, si dhe të gjitha mediat për korrektësinë dhe raportimin e drejt gjatë gjithë procesit të Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë (ReKos2024).

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat