Pas dënimit të “Ujkut” me 18 vjet burgim, reagon gruaja e Rexhep Selimit

Aktuale

Pas dënimit të “Ujkut” me 18 vjet burgim, reagon gruaja e Rexhep Selimit

Më: 16 korrik 2024 Në ora: 16:41
Pjeter Shala, Rexhep Selimi dhe Shqipe Mehmeti-Selimi

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shalës, me 18 vjet burgim.

Mehmeti-Sleimi, e cila është gruaja e Rexhep Selimit, luftëtari i UÇK-së i cili po ashtu po mbahet në Hagë, kritikoi ashpër pretendimet e Gjykatës Speciale se UÇK-ja është “ndërmarrje përbashkët kriminale”.

Ajo i bëri thirrje Pjetër Shalës të qëndrojë i fortë, duke theksuar se Specialja po vepron kundër vlerave të popullit të Kosovës.

“Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës asnjëherë dhe nga askush nuk mund t’i vihet emër tjetër përveç atij që i dha populli i Kosovës.

Pretendimi i Gjykatës Speciale se UÇK-ja është “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, është e pa falshme dhe denigruese për popullin e Kosovës.  Kjo e dëshmon se kjo gjykatë është politike dhe kundër vlerave tona njerëzore dhe demokratike.

Qëndro i fortë Pjetër Shala!”, ka shkruar Mehmeti-Selimi.

Ndërkaq, edhe Rexhep Selimi së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, akuzohen për krime lufte dhe procesi gjyqësor ndaj tyre është duke vazhduar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat