Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është dënuar sot me 18 vjet burgim për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale.
Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.
Pas këtij vendimi ka reaguar familja e veprimtarit të vrarë të LDK-së, Haki Imerit.
Kjo familje shkruan në rrjetin social Facebook, se është drejtësi e vonuar, por falë atyer që kërkojnë të vërtetën po ndriçohet e vërteta e krimeve ndaj shqiptarëve.
Familja Imeri tutje në reagim shkruan se, të gjithë ata që janë të involvuar në krime, herët a vonë do të përgjigjen për krimet e kryera, duke shtuar se ndriçimi i krimeve, vrasjeve enigmatike po ndodhë.
Reagimi i plotë:
Gjykata e Kosovës me seli në Hagë dënon me 18 vite burgim Pjetër Shalën (Ujkun).
Drejtësia e vonuar por falë atyre që kërkojnë të vërtetën pa rreshtur po ndriçohet e vërteta e krimeve ndaj shqiptarëve.
Ata që u rreshtuan për të luftuar për liri dhe pavarësi të Kosovës do të jenë gurthemeli i shtetit të Kosovës, qofshin të bekuar për jetë e mot..
Ata që përvetsuan luftën dhe përfituan nga krimet e rënda në emër të lirisë dhe pavarësisë sot pas 25 vitesh po marrin dënimin e merituar.
Viktimat e ndërmarrjes së përbashkët kriminale duhet ta kuptojnë se vuajtjet dhe më të dashurit nuk kthehen; por e vërteta historike po merr formë dhe përmbajtje duke sjellur drejtësi.
Të gjitha ata që janë të involvuar në krime herët a vonë do të përgjigjen për krimet e kryera, pra ndriçimi i krimeve, vrasjeve enigmatike po ndodhë.