Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, e ka komentuar dënimin që Gjykata Speciale ia dha ish-komandantit të UÇK-së, Pjetër Shalës, i cili u dënua me 18 vjet burgim.
Vokrri tha se ndihet keq për çdo rast të dënimeve që u jepen bartësve, organizatorëve ose pjesëmarrësve të UÇK-së.
“Duke pasur parasysh se deklarata ime mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, mbase edhe si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, do të mundohem që të tregohem i moderuar.
“Ajo që dimë nga gjithë kjo histori e dënimeve, e gjyqeve për luftën e Kosovës është se ka një shpërputhje të madhe mes krimeve që janë bërë ndaj popullit në Kosovë, pra ka shpërputhje të mëdha që i janë dhënë palës agresore që ka qenë shteti serb dhe në anën tjetër të pjesëmarrësve shqiptarë në luftën çlirimtare”, tha Vokrri.
Më tej, ai tha se ka shumëfish më shumë të dënuar nga pala shqiptare sesa nga pala serbe, e që sipas tij, kjo nuk është e drejt dhe as nuk e ndihmon kredibilitetin e gjyqeve.
“Mund të shpreh një pikëllim për lartësinë e dënimit. Unë jam i mendimit që çdo krim duhet të dënohet, çdo palë e dëmtuar duhet të gjendet drejtësia për ta por nuk është në rregull që të trajtohet një guerile jo mirë e organizuar, siç ishte UÇK-ja, në të njëjtin nivel të fajësisë me ushtrinë jugosllave”, tha ai.