Të mërkurën kulmi i nxehtësisë, a duhet të shpallet gjendje emergjente? Flet Mendim Rugova

Aktuale

Të mërkurën kulmi i nxehtësisë, a duhet të shpallet gjendje emergjente? Flet Mendim Rugova

Më: 16 korrik 2024 Në ora: 20:43

Vala e nxehtësisë po vazhdon edhe këtë javë.

Temperaturat mbi 37 gradë Celsius, po shënojnë në pjesën më të madhe të vendit.

Por, kulmi i nxehtësisë parashihet të jetë mesi i javës, e më pas moti do të marrë kthesë.

“Edhe ditën e mërkurë është kur temperaturat do të jenë ekstrem më të larta, nga e enjtja do të ketë ulje të temperaturave, dhe deri në fund të javës pritet që kjo valë e nxehtësisë të përfundojë. Nga e enjtja kemi mundësi për rrebeshe shiu dhe bubullima në disa pjesë të vendit”, ka thënë meteorologu, Mendim Rugova.

Përkundër kësaj, nuk vlerësohet se ka bazë për shpallje të gjendjes emergjente, shkaku i nxehtësisë.

“Nuk është ndonjë gjendje e jashtëzakonshme ose emergjente, se janë temperatura që i arrijmë kohë pas kohe, ndoshta jo çdo vit, se ka nga viti në vit ka ndryshime meteorologjike që munden me ndodhë”, ka thënë Rugova.

Shkaku i këtyre temperaturave, shumë njerëz po kërkojnë ndihmë mjekësore.

“Zakonisht është marramendje, dhimbje koke, djersitje, dhimbje muskulare, por kemi edhe persona që kanë pasë edhe alivanosje. Mirëpo, realisht pas dhënies së ndihmës së parë ose trajtimit rikuperohen dhe kjo nuk është që ka zgjatë shumë, pikërisht për shkak se këto janë vetëm simptomalogji të momentit, pasi një numër i madh i pacientëve ndoshta nuk i përfillin rekomandimet që i kemi dhanë”, ka thënë kryeshefi i departamentit të mjekësisë familjare në QKMF, Valdet Hashani.

Si rezultat i vendimit të ekzekutivit, për lirim nga puna për gratë shtatzëna e persona me sëmundje kronike, reduktim të stafit ka pasur edhe Shtëpia e Shëndetit në Prishtinë.

“Punëtore shtatzëna i kemi liru nga puna me automatizëm, ndërsa një kategori e mjekëve dhe mjekeve që kanë probleme kronike për shkak të rritjes së fluksit dhe nevojave dhe kërkesave për ndihmë, janë duke punuar, për të mbuluar orarit”, shtoi Hashani.

Ky reduktim stafi, nuk ka paraqitur problem për të përballuar fluksin e pacientëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat