Zbulohen vendet ku po kryen ushtrime grupi terrorist i Radoiçiqit

Aktuale

Zbulohen vendet ku po kryen ushtrime grupi terrorist i Radoiçiqit

Më: 17 korrik 2024 Në ora: 11:26
Grupi terrorist i Radoiçiqit

Ka përfunduar raportimi i drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, Petrit Ajeti në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu tha gjendja e sigurisë në vend është stabile, por që kërcënimi nga Serbia vlerësohet të jetë shumë i lartë.

"Ne patëm në raportim drejtorin e AKI-së për të na raportuar për situatën e sigurisë në vend. Mund të themi pas këtij takimi se gjendja e sigurisë në vend është stabile. Situata në katër komunat në veri është e qëndrueshme edhe pse përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës së sigurisë janë të vazhdueshme, kërcënimi nga Serbia dhe organizatat paramilitare dhe terroriste, anëtarët e së cilave po trajnohen dhe strehohen në Serbi, vlerësohet si shumë i lartë. Bazuar në të dhënat intelegjente, së fundmi grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e NoviPazarit, Kopaunikut dhe Kralevës", tha Musliu.

Në konferencë për media ajo theksoi se grupi paramilitar dhe terrorist i udhëhequr nga Milan Radoiçiq vazhdon të jetë i strukturuar, ka mjete të mjaftueshme financiare dhe se ka armë e mbështetje nga Beogradi zyrtar.

"Në vazhdimësi janë duke planifikuar, diskutuar mundësitë për sulme. Udhëheqësi i grupit Millan Radoiçiq vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë së Serbisë, me zyrtarët e lartë shtetëror, si dhe është duke mbajtur kontatke me disa grupe, organizata radikale dhe kriminale me shtrirje rajonale", shtoi Musliu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat