Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka folur për arratisjen e njeriut më të përfolur për momentin në Kosovë, Faton Hajrizit.
Dibrani ka thënë se Faton Hajrizi e kishte përfunduar gjysmën e dënimit me burg dhe se ishte kosntatuar se i takon edhe shfrytëzimi i vikendit. Drejtori i SHKK-së ka thënë se Hajrizi ishte cilësuar si person me rrezikshmëri të ulët, meqë kishte shkuar disa herë dhe ishte kthyer dhe se të njëjtit i ishte mundësuar kalimi në tipin e burgut të hapur.
“Fatoni kishte kaluar një të dytën e burgut. Nga ekipi multidiciplinar, është konstatuar se i takon e drejta për të shfrytëzuar vikendin. Kishte shfrytëzuar nga qendra korrektuese katër vikende në familje. Ai ishte cilësuar me rrezikshmëri shumë të ulët pasi kishte shkuar disa herë dhe ishte kthyer dhe i ishte mundësuar kalimi në tipin e hapur”, ka thënë drejtori i SHKK-së.
“Në tipin e hapur vendosën të dënuar që angazhohen kryesisht në punë të ndryshme ku gjatë ditës të burgosurit janë edhe pa mbikëqyrje nga oficerët korrektues sepse është tip i hapur”, ka sqaruar ai.
Kur ka folur për kohën e ikjes, Dibrani ka thënë se po bëhen hetime dhe ka treguar se s’kanë pasur informacione që Faton Hajrizi planifikon arratisjen.
“Për vet faktin se koha në të cilën është larguar ky, pas orës një, ka mundësi që është lënduar. Por prapë se prapë janë institucionet që janë duke e zhvilluar procedura hetimore. Jo, nuk ka pas informacione se i njëjti është duke planifikuar ndonjë arratisje të mundshme”, ka thënë tutje Dibrani.