Hoxhaj: Evropianët s’e deshën Kurtin në Samitin në Londër – hapësirë s’po i jep as Osmani

Aktuale

Hoxhaj: Evropianët s’e deshën Kurtin në Samitin në Londër – hapësirë s’po i jep as Osmani

Më: 17 korrik 2024 Në ora: 19:35
Enver Hoxhaj

Nënkryetari i kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka komentuar pjesëmarrjen e presidentes Vjosa Osmani në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Londër dhe jo atë të kryeministrit Albin Kurti.

Sipas Hoxhajt, mospjesëmarrja e Kurtit në këtë samit që organizohet nga kryeministri i ri britanik, Keir Starmer, tregon që Kurti është gjithnjë e më i izoluar në të gjitha ngjarjet e mëdha ndërkombëtare.

“Javën e kaluar nuk u ftua as në përvjetorin e 75 të themelimit të NATO-s në ShBA, ku 25-vjetori i çlirimit është ndër sukseset më të mëdha të NATO-s në historinë e saj dhe siguria në një botë të pasigurtë është prioritet i çdo shteti, dhe Kosova nuk ka qenë asnjëherë më shumë e kërcënuar se tani”.

“Këtë javë nuk udhëton as për në Londër, meqë nuk është ftuar as në Britani të Madhe. Sot kuptova se, meqë Bashkimi Evropian e bën protokollin e ftesave për këtë Samit, janë evropianët ata që nuk e duan Kurtin në Samit”, shkroi Hoxhaj.

Më tej, deputeti i PDK-së tha se duhet të jesh i marrë e të besosh se BE-ja shqyrton aplikacionin e një vendi për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, apo që evropianët ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës në KiE kur as nuk e ftojnë kryeministrin në një Samit joformal.

“Ftesa i ka ardhur zonjës Osmani dhe nga përvoja ime e gjatë në Qeveri, natyrisht ajo ka mundur ta delegojë ftesën te kryeministri. Delegimi i ftesave bëhet shpesh në çdo shtet dhe e kemi bërë shpesh në Kosovë. Mirëpo, as ajo nuk po i jep hapësirë askund Kurtit, duke e bërë atë të izoluar jo vetëm në botë, por edhe në Kosovë”.

“Janë bërë më shumë se një muaj që kur përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell ia dorëzoi Këshillit Evropian raportin për heqjen e masave ndaj Kosovës, dhe ende nuk ka një vendim të vendeve anëtare për këtë çështje dhe as që dikush mendon që kjo duhet të ndodhë! E sanksionuar dhe e izoluar, sot Kosova është një demokraci pa opsione të zgjedhjes, një sovranitet i pa kuptim dhe një vend pa kurrfarë kredibiliteti ndërkombëtar”, shkroi Hoxhaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat