Një 15-vjeçare nga Komuna e Obiliqit dyshohet të ketë qenë viktimë e dhunimit seksual.
I dyshuari për këtë akt është një 25-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën e cila tashmë ka mbetur shtatzënë.
E njëjta është dërguar në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku këtë e konfirmoi për Tëvë1 drejtori i saj pa dhënë detaje shtesë.
Për këtë rast janë vënë në dijeni edhe Policia e Kosovës, me ç’rast kanë arrestuar një person.
“Është marr informata se në QKUK është pranuar viktima femër shtatzënë, ku lidhur me rastin e lartcekur me vendim të prokurorit është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet nga Policia.
Lajmin për tëvë1 e kanë konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku bënë të ditur se për shkak se rasti ka të bëjë me të mitur, nuk mund të japin detaje shtesë.
“Lidhur me këtë rast ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e një (1) personi, i dyshuar për veprën penale ‘Dhunimi’, sipas KPRK-së. Viktima është e mitur, andaj pasi që rasti i takon procedurës për të mitur, nuk mund të japim detaje, derisa ju njoftojmë se ndaj të dyshuarit do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore nga ana e Prokurorisë”, thuet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Së fundmi ka pasur një numër të madh të raportimeve të rasteve të dhunimit, ku viktima në shumë raste theksohet të kenë qenë femra të mitura.