Mëngjesin e 9 majit nisën luftimet në Kumanovë. Dhjetë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pjesëtarë të Grupit të Kumanovës, u vranë gjatë përleshjes që zgjati dy ditë.
I dënuari me 100 vite burgim për pjesëmarrje në luftimet në Kumanovë, Valdet Zekaj për herë të parë në një rrëfim të gjatë personal, tregon në detaje për dy ditët e luftimeve.
Ai, në një intervistë tregon se si i kishte dalluar afrimin e forcave maqedonase të Policisë në lagjen ku ishin vendosur pjesëtarët e Grupit të Kumanovës.
“Natën ruanim. Isha unë që i pashë dy kamionë duke i ngjitur lart edhe një kombi. Ishte edhe një automjet i blinduar. Shkova i lajmërova shokët e mi, ishin në gjumë. Por nuk na kishte lajmëru askush. Se po të na lajmëronte, do të shkonte më ndryshe”, tregon ai. “Rizah Januzi [pronari i shtëpisë ku ishin vendosur pjesëtarët e Grupit të Kumanovës, v.j] e kishte nipin polic, edhe ai merrte informata prej Policisë. Atë natë na pati thënë të flemë të qetë se nuk ka asgjë”.
“Ata filluanin të gjuanin në drejtim tonin, pastaj erdhi helikopteri. Helikopteri ne mendonim se i yni është. Por, na e futi edhe ky. Na hupi patrioti tash. Ne mendonim se ai shoku ynë i helikopterëve do të na ndihmonte, por jo edhe ai u zhduk e nuk erdhi më”, tregon Zekaj.
Zekaj thotë se mëngjesin e 9 majit ka pasur një komunikim telefonik të zhvilluar mes Mirsad Ndrecajt dhe Ali Ahmetit, kryetarit të BDI-së.
“Unë Ali Ahmetin, as nuk e kam njohur kurrë, as nuk e kam parë. Atë ditë komandë nuk kemi pasur asnjëri, veç kemi vepruar si vëllezër, si patriota dhe të lidhur me njëri-tjetrin. Kjo situatë e luftimeve ka zgjatur deri në mbrëmje, deri në kohën e dorëzimit”, rrëfen ai.
“Ali Ahmeti, telefonatën e parë e ka marrë prej Mirsad Ndrecës në 8 e 30 në mëngjes, qysh e kemi dëgjuar ne në gjyq. Mirsadi ka thënë ‘qelna rrugë të shkojmë në Kosovë’, por ai ka thënë ‘nuk mundem sepse nuk ju zihet besë shk**, dorëzohuni se merrni pak burg’”.
Zekaj tregon edhe momente gjatë luftimeve kur përpiqej të kuptonte nëse ka shqiptarë të veshur me uniformat e policisë dhe ushtrisë maqedonase.
“Deri në 12 ora kemi luftuar, deri atëherë NATO kemi qenë për ta. Gjithçka kemi qenë. Besom i shtishin ushtarët me zorë ata policët, i shihnin tu u dridh ata. Edhe kam komuniku me ta, sepse disa herë ne e rrezikonim jetët me dalë me i pa nëse janë shqiptarë ata. I bërtitnim ‘oj shqipe’ që të dallonim nëse janë shqiptarë sepse nuk donim të luftonim me ta”, rrëfen ai.
“Luftimet kanë qenë dinamike, non-stop është gjuajtur aty. Qysh kemi dëgjuar, të vrarët e parë kanë qenë polic, ndërsa te ne i pari ka qenë Fatlumi [Viseshesella], e pastaj Xhafa pas Fatlumit. Këta kanë qenë me neve. Këta kanë qenë dëshmorët tanë të parë. Nuk ka pasur njeri me zemër më të madhe se Fatlumi, nuk kam njohur një tjetër si ai”.