I dënuari me burgim të përjetshëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë, Valdet Zekaj ka rrëfyer momentet e dorëzimit pas luftimeve dy ditore.
Zekaj tha se ai ishte kundër dorëzimit.
Ish-ushtari i UÇK-së nga Peja, i emocionuar shpjegon se planifikonte të vriste veten në mënyrë që t’i shmangej dorëzimit te autoritetet maqedonase.
Por, ai kujton dashurinë e madhe për vajzat e tij si arsye që e shtyn të mos bëjë vetëvrasje.
“Kur deshtëm me u dorëzu, se unë nuk e dija se çka po bëhet por isha kategorikisht kundër me u dorëzu sepse e dija që do të pasonin torturat. Vallai, unë gati kam qenë tu e mbyt edhe veten, por e kam një, një vajzë, Bardhën.. dhe ja ku jam”, tha Zekaj.
“Kur kanë dal jashtë këta me u dorëzu, kur i kam parë tu i rrah, unë i thash Fadilit edhe ma zi kanë me na bërë neve. Unë u dorëzova pas dhjetë minutash. Erdhi një polic shqiptar i pari, mi ka vendosur prangat dhe më ka sharë shqip”, tregon ai. “E kam pasur një fotografi të Nënës Terezë, ai ma hoqi dhe më tha ‘këtu është Rusi’”, u shpreh ai.