Valdet Zekaj shpjegon sesi u bind të luftonte në Kumanovë: “Këtu në burg jam për tradhti”

Aktuale

Valdet Zekaj shpjegon sesi u bind të luftonte në Kumanovë: “Këtu në burg jam për tradhti”

Më: 18 korrik 2024 Në ora: 00:26
Valdet Zekaj

I dënuari me burgim të përjetshëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë, Valdet Zekaj ka rrëfyer sesi është kontaktuar dhe bindur që t’i bashkohej luftimeve në Kumanovë.

Në një intervistë Zekaj tha se beson që në burg ka përfunduar shkaku i tradhtisë.

“Unë jam këtu për tradhti. Ne jemi tradhtuar. Jo vetëm unë, por secili prej shokëve të mi”, tha fillimisht Zekaj, i pyetur se për çfarë beson se ndodhet sot në vuajtje të dënimit me burgim të përjetshëm në Maqedoninë e Veriut.

Ai e shpjegoi zanafillën e historisë tronditëse që përfundoi me luftime në Kumanovë më 2015, ku u vranë 10 ish-veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe 33 të tjerë u dënuan dhe përfunduan në burgjet e Maqedonisë së Veriut.

“Thirrja ime e parë më ka ardhur më 8-9 mars të vitit 2015. E kam pasur një kafene të vogël në Pejë, aty erdhi një mysafir i imi, një shok i imi, Xhafer Zymberaj. Më tha ‘do me fillu lufta në Maqedoni, a do me ardhë?’. I thash ‘a po na thirrin politikanët apo populli?’. Tha ‘jo, jo populli!’ dhe bilës më tha që edhe amerikanët janë me ne”, rrëfen ai. “I thash me juve jam”.

“Shkoj Xhafa, u bë e nesërmja. E thirra në telefon i thash ‘Xhafë, mos mendo që kam qenë i pirë’, i thash që jam në ato fjalë, nuk lëvizi nga to”, vazhdon rrëfimin ai.

Zekaj tregon se atë ditë i erdhën në vizitë Xhafer Zymberaj bashkë me Mirsad Ndercajn, tashmë dëshmor në luftimet e Kumanovës.

“Më tha po duan me nda Maqedoninë mes shqiptarëve dhe bullgarëve dhe me mbrojt Maqedoninë se ka me hy Serbia. Ku ka me hy Serbia? Ka me hy ka Kumanova”, tregon Zekaj.

Për ish-ushtarin e UÇK-së nga Peja, nuk kishte hezitim. Ai thotë se i besonte Mirsad Ndrecaj, si “patriot dhe luftëtar” i tri luftërave.

Pas këtij takimi të parë, ai thotë se ka zhvilluar takime të shpeshta me grupin e ish-ushtarëve që planifikonin të luftonin në Maqedoni. Thotë se në këto takime ishte takuar edhe me Beg Rizajn, një tjetër lider të këtij grupi. Një tjetër i vrarë në luftimet në Kumanovë.

“Nga çdo takim u frymëzoja për patriotizëm, mezi s’prisja me ardhë dita e Shqipnisë”, thotë ai.

Valdet Zekaj është i dënuar për terrorizëm nga Gjykata Penale e Maqedonisë dhe aktualisht ndodhet në vuajtje të dënimit me burgim të përjetshëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat