Për shkak se kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi gjendet në pushim mjekësor, është anuluar seanca e së mërkurës në rastin ku Arlind Ahmeti dhe Agron Vllasaliu po akuzohen vrasje.
I akuzuari Ahmeti së bashku me të akuzuarin Vllasaliu po akuzohen për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, ku pas një mosmarrëveshje në qendër të Prishtinës kishte mbetur i vrarë N.S..
Lajmi për anulimin e seancës, është bërë i ditur nga zyra e gjykatësit, ku u tha se palët ishin njoftuar me kohë për anulimin e seancës ndërsa seanca e radhës nuk është caktuar ende.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 prill 2019, pasi që kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, të akuzuarin Arlind Ahmeti e kishte shpallur fajtor për shtytje në vrasje të rëndë, duke shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim. Kurse, Vllasaliu gjendej në arrati.
Por, Gjykata e Apelit, në nëntor të vitit 2019, përmes aktvendimit, kishte vendosur që ky rast të gjykohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi i 16 prillit 2019, është në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Kurse, më 13 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë sërish e kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Agron Vllasaliu dhe Arlind Ahmeti, duke i dënuar me nga 21 vjet burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje të tani të ndjerit N.S, në vitin 2017 në Prishtinë.
Ndërsa, Gjykata e Apelit më 23 mars 2023, me rastin e ankesave të përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, avokatit Nexhmedin Sejdiu, mbrojtësve të të akuzuarve Arlind Ahmeti, avokatit Adren Hoxha dhe avokatit Fitim Malokaj, si dhe mbrojtësit të të akuzuarit Agron Vllasaliu, avokatit Florent Latifaj, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen ia ka kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 korrik 2021, Agron Vllasaliu akuzohet se më 24 nëntor 2017, në bazë të marrëveshjes paraprake me të pandehurin Arlind Ahmeti, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin N.S dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.