PDK-ja i dërgon në Kushtetuese ligjet për KPM-në, KPK-në dhe për statutin e UP-së

Aktuale

PDK-ja i dërgon në Kushtetuese ligjet për KPM-në, KPK-në dhe për statutin e UP-së

Më: 18 korrik 2024 Në ora: 15:47
Pamje nga vendi i ngjarjes

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se sot në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kanë dorëzuar ligjet për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për Komisionin e Pavarur për Media si dhe Statutin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Tahiri në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së tha se mendojnë që këto ligje janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

“Në cilësinë e Shefit të GP të PDK-së , kemi proceduar tri beteja të reja në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Rrjedhimisht PDK-ja konsideron se tri nismat e fundit të miratuara në Kuvendin e Kosovës, dy prej tyre ligje dhe një prej tyre vendim janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Ky ligj synohet të kontrollohet puna e mediave të lira të Kosovës dhe të cënohet fjala e lire në vendin tone. Madje ka shkuar aq larg ku përmes këtij projekt ligji tentohet të kontrollohen edhe personat fizik, të cilët prodhojnë kontektet e tyre e që shpërndahen qoftë përmes mediave, rrjeteve sociale. Është edhe Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Nuk e dijmë se cila është arsyeja e këtij pushteti dhe e bënë punën e njëjtë, konsiderojmë se ky ligj përmes këtij projektligji pushteti aktual synon të kap sistemin prokurorial, rrjedhimisht organin e akuzës, që ka për detyrë luftimin e korrupsionit dhe dukurive të tjera negative në vendin tone”, deklaroi Tahiri.

Tahiri deklaroi po ashtu se kanë dorëzuar edhe vendimin e për statutin e Universitetit të Prishtinës.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës me 12 korrik ka miratuar Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Miratimit të këtij ligji i ka paraprirë edhe votimi i 19 amendamenteve. Ai u votua me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

E projektligji për Këshillin e Pavarur të Medieve u miratua më 59 vota pro, dhe 2 abstenime.

Kuvendi statutin e ri të UP-së e miratoi me 57 vota për, dy kundër, dy abstenime dhe një deputet nuk ka votuar fare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat