Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, ka komentuar vizitën e Olaf Scholz, kancelar i Gjermanisë, në Serbi, ku pritet të nënshkruhet një marrëveshje ekonomike rreth litiumit.
Në analizën e tij, Hoxhaj ka vlerësuar se kjo vizitë është një fazë e re e ndërlikimit të marrëdhënieve të Kosovës me partnerët evropianë.
Postimi i plotë:
Serbia ka përdorur gjatë marrëdhëniet strategjike me Rusinë dhe Kinën si mekanizëm gjeopolitik në marrëdhëniet e saj me BE-në. Nga sot, ajo do të përdorë një instrument të brendshëm: industria evropiane e makinave do të ketë akses eksklusiv në depozitat e litiumit të Serbisë dhe litiumi është instrument i fuqisë së saj ndaj BE-së. Llogaritet se Serbia mbi 20% të nevojave të BE-së do t'i përmbushë me këtë mineral të rëndësishëm për prodhimin e baterive.
Në garë për prodhimin e baterive, Gjermania është në mesin e fuqive në tregun botëror, prandaj, vizita e sotme e Kancelarit Olaf Scholz tregon që Serbia është bërë interes strategjik i vendit të tij dhe BE-së! Askush nuk e di përmbajtjen e një deklarate përkatëse rreth qëllimeve të bashkëpunimit që sot do të nënshkruhet, por një gjë dihet, që kjo është fazë e re e ndërlikimit të marrëdhënies së Kosovës me partnerët evropianët.
Kushdo që mendon ndryshe e ka gabim dhe do të vazhdojë ta ketë gabim! Sepse nuk është situatë e njëjtë sikurse ishte deri sot! Nuk pres ndonjë mendim strategjik nga Qeveria se si të veprohet në këtë situatë dhe si të balancohet pozita e vështirë e Kosovës, përveç të dalin me një reagim mendjelehtë se sikurse Rusia e ka shantazhuar BE-në me gaz dhe tani do ta bëjë Serbia me litium, që është vetëm një titull lajmi, por jo veprim strategik.