Eksperti i kibernetikës: Ndërpritni aplikacionet e afektuara për të shmangur kolapsin e sistemit të IT-së

Aktuale

Eksperti i kibernetikës: Ndërpritni aplikacionet e afektuara për të shmangur kolapsin e sistemit të IT-së

Më: 19 korrik 2024 Në ora: 14:04
Ilustrim

Eksperti i sigurisë kibernetikës, Mentor Hoxha, ka folur për ndërprerjen globale të sistemeve IT-së dhe ndikimin e saj në institucionet publike dhe private në Kosovë. Duke theksuar rrezikun që kjo ndërprerje paraqet, Hoxha ka bërë një thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht për ata që përdorin shërbimet e Microsoft.

“Jo vetëm KESCO-n por çdo institucion publik apo privat mund të jetë i afektuar gjithë atë që janë duke shfrytëzuar Microsoft dhe shërbimet e tyre pra aplikacionet që janë të afektuara, mund të afektohet në shërbimet që i ofrojnë. Kjo do të thotë që çdo kompani që është duke shfrytëzuar njërën nga ato aplikacione që janë të afektuara, shërbimet e tyre mund të jenë afektuar drejtpërdrejt”, ka thënë Hoxha.

Ai ka rekomanduar ndërprerjen e përdorimit të aplikacioneve të prekura derisa të merret njoftimi se ato janë rikthyer në kapacitet të plotë.

Hoxha ka theksuar se i gjithë sistemi IT-së është një superstrukturë ku një problem i vogël mund të shkaktojë ndërprerje të mëdha.

“Këshilla ime është të shikojnë listën e aplikacioneve të afektuara, të ndalohet shfrytëzimi në ato aplikacione derisa të merret njoftimi se janë rikthyer në kapacitet e plota”, ka shtuar ai.

Ndërprerja e sistemeve IT ka ngritur shqetësime të mëdha në të gjithë botën, pasi një sërë institucionesh globale – duke përfshirë bankat e mëdha, mediat dhe linjat ajrore – kanë raportuar se janë goditur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat