​Në 15-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Gërvalla takoi homologen japoneze

Aktuale

​Në 15-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Gërvalla takoi homologen japoneze

Më: 19 korrik 2024 Në ora: 19:10
Pamje nga takimi

Për herë të parë në historinë e Kosovës së pavarur, sot ka mbërritur në një vizitë zyrtare në Prishtinë shefja e diplomacisë japoneze Yoko Kamikawa.

Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla vlerësoi se kjo vizitë është një moment historik në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve Kosovë-Japoni.

Gërvalla njoftoi Kamikawa me të arriturat e Kosovës në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, lirive civile dhe të drejtave politike.

Ajo gjithashtu theksoi edhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik nëpër të cilin po kalon Kosova në vitet e fundit dhe u shpreh e lumtur për pjesëmarrjen e Kosovës në EXPO 2025, e cila do të organizohet në Osaka të Japonisë.

Gërvalla theksoi se kjo ngjarje do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme e njohjes dhe lidhjes së bizneseve të të dyja vendeve, si domosdoshmëri e thellimit të bashkëpunimit ekonomik.

Në takim u shkëmbyen po ashtu informacione mbi zhvillimet e fundit dhe nevojën e afrimit të vendeve demokratike, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik kur tendencat autokratike po rriten dhe po bëhen gjithnjë e më agresive.

Gërvalla njoftoi Kamikawa mbi veprimet destabilizuese të Serbisë në rajon, duke përfshirë edhe rastin e agresionit të Serbisë në Kosovë nëpërmjet sulmit terrorist të 24 shtatorit, dhe vështirësitë e procesit të dialogut në Bruksel si rezultat i kësaj qasje të Beogradit. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat