“Shkelje e sovranitetit”, Qeveria e Kosovës zhgënjehet me vendimin e BE-së

Aktuale

“Shkelje e sovranitetit”, Qeveria e Kosovës zhgënjehet me vendimin e BE-së

Më: 22 korrik 2024 Në ora: 13:13
Pamje nga një mbledhje e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka shprehur zhgënjimin e saj me vendimin e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe, të lëshuara nga autoritetet serbe për qytetarët serb të Kosovës.

Në një reagim zyrtar dërguar, Qeveria ka theksuar se ky vendim minon integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Cilido vendim i Bashkimit Evropian nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vijojnë të mbeten ilegale, në shkelje të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë, e rrjedhimisht të papranueshme për Republikën e Kosovës. Ato pasaporta do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona”, thuhet në reagim.

Qeveria e Kosovës ka theksuar se të gjithë qytetarët e saj, përfshirë edhe ata të komunitetit serb, kanë të drejtën e plotë të përfitojnë nga lëvizja e lirë pa viza përmes pasaportës së Republikës së Kosovës.

“Justifikimi i përdorur se bartësit e këtyre pasaportave ilegale do të mbeten të izoluar është i pasaktë dhe në shpërputhje me realitetin”, thuhet tuje në deklaratë.

Qeveria gjithashtu e ka konsideruar të ngutshëm marrjen e këtij vendimi pa vërtetuar faktet në terren dhe pa konsultuar institucionet kosovare.

“E pashpjegueshme është dhe ngutia e shfaqur për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar implikimet që munden dhe do të përcjellin zbatimin e vendimit, dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit tonë”, thuhet tutje nga ana e tyre.

Sipas Qeverisë, ky vendim dëmton përpjekjet e Kosovës për integrimin e komunitetit serb.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat