Përveç rritjes së numrit të shtretërve në kujdesit intensiv nga katër në 10 dhe në repart nga 14 në 17, në Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë zbuluar edhe 200 metra katrorë hapësirë e pa shfrytëzuar.
Kështu është deklaruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë përurimit të renovimit të Klinikës së Kardiokirurgjisë i cili tha se nga buxheti i Kosovës janë shfrytëzuar 750 mijë euro.
Kurti: Kësaj radhe në vlerën prej 750 mijë eurove
“Kësaj radhe në vlerën prej 750 mijë eurove. Është rritur për 9 numri i shtretërve. Në kujdes intensivë nga katër në 10, ndërkaq në repart nga 14 në 17. Gjithashtu janë zonat e filtrimit që parandalojnë infeksionet intra spitalore. Si dhe kemi arritur gjatë renovimit me operatorin ekonomike të zbulojmë 200 metra katrorë hapësirë të pa shfrytëzuar.... Kemi një aparaturë e cila shërben gjatë operacioneve që kur ndalet zemra zëvendëson edhe zemrën edhe mushkëritë”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, drejtori i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, Shpejtim Shurdhiqi ka shtuar se kardiokirurgjia që nga viti 2013 ka pasur nevojë për një renovim të tillë.
Shurdhiqi: Që nga viti 2013, kur atëherë është hap ka qenë nevoja që të bëhet një renovim kështu ekzakt
“Kardiokirurgjia që nga viti 2013, kur atëherë është hap ka qenë nevoja që të bëhet një renovim kështu ekzakt... Do të jetë një lehtësim jashtëzakonisht i madh për vet pacientët, por natyrisht si një komunitet përveç stafit i cili krijon kushte dhe mundësi që ky numër i operacioneve në të njëjtën kohë të rritet, gjithmonë bëhet më kualitativ”, ka shtuar ai.
Po ashtu, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka theksuar se i vetmi problem e sfidë e renovimeve në QKUK, është vendosja e pacientëve gjatë renovimit të një reparti të caktuar.
Vitia: Sfida e vetme ka qenë ku t’i vendosim pacientët gjatë kësaj kohe kur bëhet këto renovime
“Do të ofrojë për gjithë ata pacientë që kanë nevojë në Republikën e Kosovës të marrin shërbimet më të mira, më cilësore ashtu siç më herët nuk i kanë marrë këtu dhe i kanë marrë në vende të tjera ose në klinika private. Gjatë këtyre muajve e gjatë këtyre viteve kemi bërë një analizë, renovimin dhe përmirësimin e infrastrukturës. Sfida e vetme ka qenë ku ti vendosim pacientët gjatë kësaj kohe kur bëhet këto renovime, dhe kjo vazhdon të mbetet akoma një sfidë”, është shprehur Vitia.
Në ceremoni pjesë ishin edhe ambasadori i Italisë Antonello De Riu dhe drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi.