Reagime lidhur me lajmin e `Slobodna Bosna` të transmetuar në RTK

Aktuale

Reagime lidhur me lajmin e `Slobodna Bosna` të transmetuar në RTK

Më: 23 korrik 2024 Në ora: 20:38
Foto ilustrim

Pas publikimit të lajmit të ‘Slobodna Bosna’ në kanalin e RTK-së, lajm që në portalin boshnjak përmend me emra dy portale që pretendohet se Serbia i financon me para, kanë pasuar reagime e kundër reagime.

Shumë deputetë të partisë në pushtet kanë mbrojtur lajmin e mediumit boshnjak dhe kanë kërkuar hetim nga organet e shtetit.

Një kërkesë të tillë e pati edhe zyrtarja e Vetëvendosjes, Dejona Mihali, e cila tha se është e udhës të nisin hetimet për këto pretendime. Mihali komentoi edhe reagimin e AGK-së, për të cilët tha se do të ishte më mirë të sugjeronin nisjen e hetimeve për rastin në fjalë.

Ndaj këtij postimi ka reaguar edhe një herë AGK, i cili tha se thirrja për hetime ndaj një shkrimi pa autor, është e papranueshme dhe ka qëllim intimidimin e gazetarëve.

Reagoi edhe juristja e medieve, Flutura Kusari. Ajo e ka cilësuar të gjithën sulm ndaj medieve dhe ka thënë se RTK-së i është bërë dëm në kredibilitet, që është vështirë i rikuperueshëm.

Ndërsa, gazetari Adriatik Kelmendi tha se Televizioni Publik, që mbahet me taksat e qytetarëve, nuk mund të përdoret për gjueti shtrigash me burime anonime.

Edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, reagoi për raportimin e RTK-së. Ai tha se për këtë rast duhet dorëheqje e kërkim falje, duke shtuar se RTK-ja është e Kosovës dhe kjo nuk duhet të ndryshojë pa marrë parasysh kush është në pushtet.

Edhe Ismet Kryeziu tha se mbrëmë ndodhi një dezinformim e manipulim i opinionit publik.

Nga mbrëmë pronaret e dy mediumeve, ‘Nacionale’ dhe ‘Periskopi’, të përmendura nga portali boshnjak se financohen nga shteti serb, kanë reaguar disa herë.

Berat Buzhala, tashmë ka njoftuar se do të ushtrojë padi ndaj portalit ‘Slobodna Bosna’. Ndërsa Ilir Mirena ka thënë se pushteti për t’i mbuluar dështimet që ndodhën gjatë këtyre ditëve ka zgjedhur të shpifë kundër medieve.

Reagime, përveç kryeredaktorëve, redaktorëve e gazetarëve të medieve tjera, ka pasur edhe nga kolegët gazetarë e redaktorë të RTK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat