Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se vendimi i Këshillit Evropian për heqjen e vizave për serbët e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë është ditur nga dhjetori dhe se Qeveria nuk mund të bëjë sikur nuk e ka ditur.
Ai e ka quajtur këtë vendimin më të dëmshëm që nga shpallja e pavarësisë dhe ndërlidhje me idenë e Serbisë për sovranitet të dyfishtë.
“Është sovranitet i dyfishtë për Kosovën”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka theksuar se Bashkimi Evropian po e ndëshkon Kosovën dhe kryeministrin Albin Kurti si me këtë vendim, si me masat që i pati vënë.
“Vendimi për t’i njohur pasaportat e strukturave ilegale të shtetit serb brenda Kosovës është vetëm hallka e fundit e zinxhirit të gabuar që ka marrë Albin Kurti në këto vite qeverisje”, është shprehur ai.
Sipas tij, vendimi i BE-së është ndëshkim ndaj politikave të Qeverisë.
Sa i përket hapjes së Urës së Ibrit, Hoxhaj ka theksuar që të ketë komunikim për këtë çështje. Urgjente e ka quajtur integrimin e komunitetit serb në veri.
Ai ka thënë se veriu është shndërruar në temë për ta mbajtur në pushtet Kurtin.
“Ajo që po ndodh në veri dhe tema e urës nuk ka të bëjë me shtetin, por me pushtetin e Albin Kurtit. Veriu i Kosovës është një temë që i shërben Albin Kurtit të mbetet në pushtet në Kosovë, dhe Vuçiqit të mbetet në pushtet në Serbi”, ka thënë ai.
I pyetur nëse ndërrimet e emisarëve për Ballkan dhe dialog do të kenë ndikim pozitiv për procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, Hoxhaj ka thënë se pavarësisht kush kë e zëvendëson temat e shtruara prej vitesh në tavolinën e negociatave mbesin të njëjta.
“Në prej arsyeve pse Borrell e ftoi Kurtin e Vuçiqin në Bruksel ishin që t’u thoshte se e përfundova mandatin por temat që i kemi diskutuar në tavolinë qëndrojnë dhe kalimi mandatit te Kaja Kallas nuk ndryshon gjë në përmbajtje”, ka shtuar ai.