Kurti kërkon këtë gjë nga qytetarët për Faton Hajrizin, tregon përpjekjet e institucioneve në rastin e tij; ja vendimet e Qeverisë

Aktuale

Kurti kërkon këtë gjë nga qytetarët për Faton Hajrizin, tregon përpjekjet e institucioneve në rastin e tij; ja vendimet e Qeverisë

Nga: Bota sot Më: 24 korrik 2024 Në ora: 08:27 Përditësuar në ora: 12:19 më 24.07.2024
Qeveria e Kosovës

Pronat e sekuestruara të Radoiçiqit i kalojnë Policisë së Kosovës

Me ndryshim-plotësimet e një udhëzimi administrativ, të miratuara të mërkurën nga Qeveria e Kosovës, pronat e sekuestruara të biznesmenit serb nga veriu i Kosovës, Millan Radoiçiq, do t’i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Brendshme të Kosovës, përkatësisht Policisë së Kosovës.

Radoiçiqin, Kosova e kërkon si të dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, shtatorin e kaluar.

Në këtë sulm mbeti i vrarë një polic i Kosovës, ndërsa në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serb.

Radoiçiq besohet se është i lirë në Serbi.

Gjatë një aksioni në prill, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara e Kosovës sekuestroi dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut, një restorant dhe një banesë, si dhe një vilë në komunën e Zubin Potokut - që të gjitha në pronësi të Radoiçiqit.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se këto prona, aktualisht, janë nën menaxhim të ministrisë që udhëheq ajo, përkatësisht Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara të Kosovës.

Haxhiu tha se ndryshimet në udhëzimin administrativ janë të rëndësishme, sepse i eliminojnë procedurat e tejzgjatura për dhënien me qira të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, kur ato i kërkon një institucion publik ose organ shtetëror.

Haxhiu tha se pronat e sekuestruara të Radoiçiqit gjenden në lokacione me rëndësi strategjike.

Sipas saj, kalimi i tyre nën menaxhimin e institucioneve të sigurisë bëhet me qëllim të “rritjes së sigurisë shtetërore, territoriale dhe institucionale” në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe.

Pas miratimit të ndryshim-plotësimeve të udhëzimit administrativ në Qeverinë e Kosovës, Haxhiu tha se institucionet e vendit do të vazhdojnë me procedurat e tjera.

Kurti lëvdon Marrëveshjen e Brukselit me Serbinë: U materializuan karakteristikat e shtetit të pavarur të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti tha në mbledhjen e sotme të Qeverisë se marrëveshja bazike e vitit të kaluar me Serbinë i ka materializuar “karakteristikat e shtetit të pavarur të Kosovës”.

Të hënën u bënë 14 vjet prej kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Duke e përmendur këtë, Kurti tha se marrëveshja për të cilin ai u mor vesh me presidentin serb Alekansandar Vuçiq vitin e kaluar, përfshin parimet në të cilat bazohet ky konstatim i GJND-së.

“Marrëveshja bazike e Brukselit e 27 shkurtit 2023 është një moment i radhës përmes së cilit u arrit të materializohen karakteristikat e shtetit të pavarur të Kosovës sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare, në të cilat bazohet mendimi këshilldhënës i GJND-së, përfshirë fqinjësinë e mirë, barazinë e sovranëve, respektimin e pavarësisë së tjetrit, njohjen dhe mbrojtjen e integritetit territorial, të drejtën e vetëvendosjes së popujve dhe parimet e tjera të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha Kurti.

Më tej, e përmendi fuqizimin e shtetit dhe të shtetësisë në arenën ndërkombëtare.

“Fuqizimi i shtetit të Kosovës dhe shtetësisë së tij në arenën ndërkombëtare e dimë që nuk është një proces automatik, por kërkon kohë e mund, përkushtim e guxim. Kohë, përkushtim e vullnet duhet edhe për politika të mira të brendshme për të mirën e qytetarit”, tha Kurti.

​Kurti kritikon prokurorinë, tregon përpjekjet e institucioneve në rastin e Faton Hajrizit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kritikuar Prokurorinë e Kosovës lidhur me mosngritjen e akuzës ndaj Millan Radojiçiqit dhe terroristëve të tjerë në rastin e Banjskës.

Sipas Kurtit as pas 10 muajve prokuroria s'ka lëvizur në këtë drejtim ndërkaq nuk iu deshën as 10 orë që të merret në pyetje ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për një postim të saj në rrjetin social Facebook.

Kurti: Nuk iu deshën më shumë se 10 orë prokurorisë për ta marr në pyetje ministren

“Në Kosovë nuk është ngritur ende aktakuzë ndaj Millan Radojiçiqit dhe terroristëve të tjerë të grupit paramilitar nga ana e sistemit tonë të drejtësisë. Në Serbi Radojiçiqi është i lirë, prokurorisë tonë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj por nuk iu deshën më shumë se 10 orë për ta marr në pyetje ministren tonë të Drejtësisë zonjën Albulena Haxhiu për një postim në Facebook”, tha Kurti.

Kryeministri Albin Kurti shtoi se qytetarët nuk duhet të bien pre e heroizimit të Faton Hajrizit.

Sipas tij hero dhe patriot është Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit.

Kurti: Patriot në Republikën e Kosovës është rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku

“Megjithëkëtë sqarimi i rrethanave që nga ikja në drejtim të Serbisë e deri te vrasja e tij e raportuar kërkon një hetim vendor dhe ndërkombëtar. Ndërkohë i ftoj qytetarët e vendit tonë të mos bien pre e euforisë së heroizmit dhe romantizimit të Faton Hajrizit. Patriotë në Republikën e Kosovës është rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku i vrarë në Banjskë të Zveçanit, patriotë janë 23 pjesëtarë të Policisë së Kosovës të rënë në krye të detyrës që dëshmojnë përkushtimin për shërbim deri në sakrificë”, tha Kurti.

Kurti poashtu ka dhënë detaje lidhur me përpjekjet e institucioneve kosovare për të transmetuar informacione zyrtare për rastin e Faton Hajrizit.

Kurti: Këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë

“Ditët e fundit kemi dëgjuar shumë lajme në lidhje me rastin e shtetasit Faton Hajrizit. Institucionet tona janë përpjekur maksimalisht që në vazhdimësi të transmetojnë informacionin zyrtar. Së fundmi përmes ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës jemi informuar nga drejtoria e bashkëpunimit ndërkombëtar policor e policisë së Kosovës se autoritetet serbe më 22 korrik 2024 kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi. Të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës Faton Hajrizi janë përcjell në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë ku pas krahasimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë drejtoria e bashkëpunimit ndërkombëtar policor ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë përcjellur me vëmendje çdo hollësi. Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme janë angazhuar dhe kanë informuar”, shtoi kryeministri Kurti.

Qeveria ndryshon Projektligjin që dërgon FSK-në në operacione jashtë vendit

Qeveria e Kosovës, ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë Vendit.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se ky projektligj bënë rregullimin e dërgimit të FSK-së jashtë vendit për të marrë pjesë në operacione të paqes dhe ndërkombëtare.

Ky projektligj bënë rregullimin e proceduat e dërgimit të FSK-së jashtë vendit si dhe marrjen pjesë në operacionet e paqes dhe operacioneve ndërkombëtare dhe aktivitete tjera”, u shpreh Kurti.

E ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se ky projektligj është i rëndësishëm për shkak se sipas tij, FSK-ja është e gatshme që të kryej operacione ndërkombëtare.

Duke marrë për bazë aksionin aktual të FSK-së që është e gatshme që të merr pjesë në operacionet ndërkombëtare. Procesi i zhvillimit te FSK-së që është e gatshëm që të marrin pjesë në operacionet e ndërkombëtare dhe rritjen e interesimit është e nevojshme që të bëhet ndryshimi sipas ligjit të mbrojtjes. Plotësim ndryshimi që është bërë në këtë ligj ka të bëjë në disa ndryshim që kanë të bëjnë me nenin 10 të këtij projektligji”, ka thënë Maqedonci.

Kurti mburret me qeverisje: Nga muaji i ardhshëm shtesat me rritje i marrin mbi 400 mijë fëmijë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë sot se nga muaji i ardhshëm mbi 400 mijë fëmijë do t’i marrin shtesat e tyre me rritje.

Për këtë vendim, Kurti, u mburr ndërsa dhe falënderoi secilin për mundësinë e dhënë të jenë në krye të Qeverisë.

”Nga muaji i ardhshëm mbi 400 mijë fëmijë, do t’i marrin shtesat e tyre me rritje. Është dashtë që fillimisht të ketë shtesa, që më pas të ketë rritje të tyre.

E ne jemi të lumtur që na është dhënë mundësia përmes vullnetit të qytetarëve tanë, që edhe t’i nisim  edhe t’i rrisim shtesat për fëmijët, që janë e tashmja dhe e ardhmja e Republikës së Kosovës”.

Kurti kritikon Prokurorinë: 10 muaj nuk ka aktakuzë ndaj Radojçiqit, e vetëm pas 10 orëve e mori në pyetje Haxhiun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka adresuar kritika për Prokurorinë Speciale që ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit, përgjegjësi për sulmin paramilitar serb në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit të kaluar.

Ai ka thënë se ky institucion i ndjekjes, ka intervistuar ministren Albulena Haxhiu për një postim në Facebook.

“Në Kosovë nuk është ngritur ende aktakuzë ndaj Millan Radoiçiq dhe terroristëve tjerë të grupit të tij nga ana jonë e sistemit tonë të drejtësisë, prokurisë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj, por nuk ju deshën më shumë se 10 orë për ta marr në pyetje ministren tonë të Drejtësisë Albulena Haxhiun për një postim në Facebook”, u shpreh Kurti.

Ministrja Albulena Haxhiu u intervistua për dy ditë me radhë (e hënë dhe e martë) nga Prokuroria Speciale pasi pati pretenduar ditë më parë përmes një statusi në Facebook se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia.

Ajo gjithashtu u intervistua për një deklaratë që ka dhënë për mediat, në të cilën ka thënë se disa gjyqtarë e prokurorë i kanë bërë ftesë të takohen.

Kurti: Faton Hajrizi nuk duhet të heroizohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga qytetarët që të mos bien pre e euforisë së “heroizimit dhe romantizimit” të Faton Hajrizit, shtetasi kosovar që dyshohet se u vra në Serbi të premten.

Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka kërkuar hetim vendor e ndërkombëtar për të qartësuar gjithçka që ndodhi me Faton Hajrizin, që nga ikja drejt Serbisë deri në vrasjen e raportuar të tij.

“I ftoj qytetarët të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit. Patriot në Kosovë është rreshteri Afrim Bunjaku, që u vra në Banjskë të Zveçanit. Heronj janë 23 pjesëtarët e Policisë të rënë në krye të detyrës që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë”, ka thënë Kurti.

Kurti mbledh ministrat

Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

Mbledhja e thirrur nga Kryeministri Kurti pritet të nis në ora 10:00.

Në njoftimin për media nuk është bërë e ditur arsyeja për të cilën është thirrur mbledhja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat