Është burgu në të cilin po vuante dënimin që nga viti 2019, për përfshirjen e tij në një grabitje në bankë ku ishte vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës.
Por dy javë më parë, Ujkan Metaj arriti të arratisej për tu kthyer të mërkurën në mbrëmje pasi e arrestoi përsëri Policia.
Pos që është kthyer në vazhdim të dënimit në Dubravë e në pavijon të mbyllur, Shërbimi Korrektues ndaj tij ka iniciuar masa disiplinore por edhe kallëzim penal për arratisje nga burgu, vepër e dënueshme deri në 3 vjet burgim.
“I burgosuri U.M, i cili ishte larguar nga Pavioni i Hapur i QK Dubravë më datën 12.07.2024, është arrestuar nga Policia e Kosovës më datën 24.07.2024. Për detaje të tjera, ju lutemi t’i drejtoheni Policisë. I burgosuri në fjalë gjendet në QK Dubravë prej datës 24.07.2024, ora 21:20. Fillimisht, ai është dërguar në stacionarin e burgut për kontroll mjekësor, e më pas është vendosur në Qendrën Korrektuese Dubravë, në pavion të tipit të mbyllur. I njëjti do të ballafaqohet me procedura të brendshme disiplinore, si dhe ndaj tij është ushtruar kallëzim penal për arratisje të personit të privuar nga liria, vepër e dënueshme deri në 3 vite burg”, thuhet nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK).
Metaj është kapur në fshatin e tij në komunën e Istogut e tanimë Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur punën për kallëzimin penal për arratisje.
“Pas një pune operative policore është arritur që të arrestohet dhe të dërgohet në vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës ku ka pasur aktgjykim të fuqishëm për vuajtjen e dënimit. Prokurori ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore për të kuptuar më shumë rreth arratisjes së tij dhe për të tjerat që lidhen me këtë çështje. “Arratisje të personit të privuar nga liria”, është rasti që iniciuar ndaj tij. Gjithashtu, janë duke u ndërmarrë veprime hetimore”, ka thwnw Shkodran Nikçi, zëdhënës në Prokurorinë e Pejës
E me rastet e arratisjeve të fundit, juristë thonë se po dëshmohet që në burgjet e Kosovës ka dobësi.
“Duhet të analizojnë rast pas rasti rastet e arratisjeve po ashtu edhe në tërsi menaxhimet e SHKKsë në kuptim të identifikimit të mundësisë së arratisjeve, a ka gabime njerëzore apo infrastrukturore. Sepse shteti ka përgjegjësi ndaj qytetarëve, pavarësisht se a janë të lirë apo të burgosur. Duhet të ketë një epilog përmes së cilit duhet përmirësuar politikat”, ka thwnw avokati Valdet Hoxha.
Në vitin 2019, Gjykata Themelore në Pejë e kishte dënuar me pesë vjet burgim, të akuzuarin Ujkan Metaj, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë se e kishte ndihmuar të ndjerin Kamer Metaj, për të kryer grabitjen e bankës në Istog ku mbeti i vrarë, polici Izet Demaj.
Apeli Metajt ia kishte shtuar edhe dy vjet burgim.